Nga Monika Stafa/
Nuk kalon shumë kohë dhe ne mësojmë se realiteti është shumë më ndryshe nga ajo cfarë kemi ditur. Por ajo që ka rëndësi është që askush të mos e zbulojë se në fund ajo që na udhëheq është mendja dhe jo zemra.
Shumë prej nesh mendojnë se ata që ndjekin emocionet e tyre nuk mund të gënjejnë. Por gabohen. Ja pse, kur doni të hiqeni si budalla ndaj një ndodhie, mendoni se duhet të bindni palën përballë se gjërat kanë ndodhur krejt rastësisht. Sepse ajo cfarë ata nuk dinë është pikërisht kjo; asgjë nuk ndodh rastësisht.
Por ka dhe nga ata që besojnë se vetëm zemra e di se çfarë duam në të vërtetë. Se ajo është busulla që mund të na cojë drejt lumturisë apo cfarë mendojmë ne se na bën të lumtur.
Por jo, mos e besoni! Kjo është vetëm një gënjeshtër.
Të dëgjosh zemrën mund të na nxisë të bëjmë gjëra të cmendura, por shpesh thuajse gjithmonë përfundon keq.
A i ndodhi dhe Nikolla Teslës kështu?
Tesla ishte një shkencëtar vizionar i cili zhvilloi parimet themelore të energjisë elektrike që përdor sot shumica e planetit duke i hapur udhë teknologjive të shumta që përmirësojnë jetën tonë të përditshme. Një serbo-amerikan që emigroi në qytetin e Nju Jorkut në vitin 1884, N. Tesla ishte posedues i rreth 300 patentave të njohura.
Ai është ndoshta shpikësi më i famshëm për të cilin nuk keni dëgjuar mjaftueshëm. Po aq edhe unë pas një libri të mirë me të njëjtin titull të shkrimtarit serbo- amerikan, Vladimir Pistalo.
Sot shumë nga komoditetet moderne që ne gëzojmë, janë pjesë e eksperimenteve të tij dhe të jetuara po vetë në trupin e tij.
Por nuk është vetëm energjia elektrike në të cilën punoi Tesla. Motorët, radiot, rrezet X, drita e neoni, ajo që sot quhet LED dhe teknologji të tjera përparuan prej mendjes së tij të jashtëzakonshme.
*
Kur nuk ka kishë, u këshillonte nëna bijve të saj, mund të lutesh nën ndonjë bredh ose nën bli. Nikolla lindi nga një nënë që kish fuqinë të krijonte botën ndërsa babai ta përshkruajë atë në libra.
Ishte një fëmijë i hipnotizuar prej natyrës. Ashtu sic trandej prej shkatërrimit. Tek natyra ishte gjithë forca e tij. Njerëzit përshkruajnë se ai dehej nga forca e saj, të cilën vetëm ai mund ta ndjente.
Nikolla vinte nga një fshat mes maleve në anën perëndimore të Kroacisë me emrin Smiljan. Dikur legjendat tregojnë për të se fshatarët aty ishin aq të gjatë sa mund të konsideroheshin si gjigandë të vërtetë. Natyra kishte mbetur gati primordiale, kurse aroma e ngricës ngjante me përshëndetjen e Zotit.
Në pranverë pemët ngjasonin me retë. Natën, si të ishin fantazma. Por dimrat asokohe do të ishin më të ftohtë se dimrat që do të vinin pas tyre. Dhe dimra të tillë, jo për cdokënd, ndizte fantazinë të shihje edhe përmes vrapit të banorëve gjurmë të shkëlqyeshme drite. Apo një topëz bore rënë nga ndonjë pemë që shpërthente shpesh në një shkëndijë rrezesh.
Ne jetojmë në një botë të iluminuar, i pat pëshpëritur së shoqes dhe të birit, Milutin Tesla.
Cfarë është ky iluminim, pyeti gruaja.
Të ndricohesh nga brenda, iu përgjigj ai.
Në këtë botë homerike nëna i këndonte Nikos për Predragun dhe Nenadin, personazhe që vinin nga folku serb. Ndërsa miqtë e babait i dukeshin si Menelau dhe Hektori.
Nikollës nuk i pëlqente kur e thërrisnin Niko sepse kjo do të thotë ‘askush’ – ai që nuk ekziston. Ai I besonte se kush mendon ekziston. Pra dhe unë ekzistoj, thoshte ai.
Atëherë përse më quajnë Niko?
Dhe humbiste trishtimin e tij në bibliotekën e Gospic. Natën Nikolla mbushte me kërp vrimat e bravave dhe hapësirën poshtë derës dhe lexonte nën dritën e qirinjve që kish ndezur vetë. Djali i gëlltiste fjalitë me kënaqësi ndërsa hija e tij vetëm zmadhohej në mur.
I lodhur nga kjo marrje sekrete e diturisë Nikolla lexonte cdo mbrëmje në bibliotekë duke ndjerë mirënjohje për njerëzit që kishin shkruar libra. I dukeshin si miq të vjetër në këtë qytet ku nuk kishte as edhe një mik të vetëm.
Në Karlovac
Në moshë më madhore Nikolla u prit nga xhaxhai i tij. Këtu mësoi disa gjuhë të huaja dhe përmes bisedave praktikoi dhe historinë. Ai i dha Nikollës një libër për artistët italianë të shek. XV dhe më pas për Celinin, për Lorencon e Madh, papët, Kapelën Sistine apo dhe këmbën e papërsosur të Davidit. Pas një agjërimi tre vjecar në shtëpinë e tij, me mungesë ushqimi për shkak të një diete të fortë prej zonjës së shtëpisë, Nikolla e lidhi përgjithmonë në jetë artin me urinë.
Nikolla ishte dashuruar shumë herë; me flokët e nënës, me bibliotekën e të atit, me famën e të vëllait, me fluturimet e natës apo dhe me zgjerimin e botës që po ndjente tashmë ndër deje.
Kish ardhur koha që Nikolla të binte sërish në dashuri por jo me një nga vajzat me sy të errët nga Karlovaci. Dashuria e Nikollës për energjinë elektrike i la mënjanë dashuritë e tjera rinore.
Ai donte të bëhej eksperimentues shkencor.
Shkenca që po jepesh kaq shumë është kotësi, vazhdoi ta bindte të birin i cili nuk e dëgjoi. Kotësi dhe ngashënjim pas erës. Sic thonë priftërinjtë në gjuhën e tyre, është krejt fëminore të ikësh nga temjani për hir të egoizmit.
Unë po të flas baba, i thoshte të atit, kurse ti nuk dëshiron të më dëgjosh.
Dhe s’kam pse, përgjigjej tjetri po ftohtë. Nuk ka ligj sipas të cilit ata që flasin duhet të dëgjohen.
Duke menduar se i ati kudesej vetëm për anën shëndetsore, Nikolla e vlerësonte kujdesin e të atit si një banalitet të arsyeshëm.
Studentët e tjerë e mësuan shkencën thjesht si këngë për të jetuar. Tesla nga ana tjetër ishte i interesuar për thelbin e gjërave. Përvec fizikës përpiu vëllime të tëra të letërsisë klasike dhe filozofike.
Në fund të fundit ai donte të bëhej një shpikës dhe jo më kot kjo ishte e vetmja gjë që do e zmadhonte botën para syve të tij. Zakonisht kur dilte nga biblioteka dhe sodiste qiellin me yje të Kantit ai mund ta ndjente atë duke u rritur nën shpërthimet e yjeve. Derisa ndjente se pikat e tij të mprehta të shikimit do të ishin në të njëjtin nivel me kullat e qytetit.
Po pastaj?
Pastaj konstelacionet do të treteshin nëpër flokët e tij.
Dhe pastaj?
Kjo është gjithmonë dilema. Zemra na con drejt ëndrrave. Por është mendja ajo që i shndërron ato në realitet.
Edhe Teslës kështu i ndodhi.
Zemra e çoi në vende të paeksploruara që nuk mund ta imagjinonim se ekzistonin. Mendja drejt një udhe të përkryer.
Ndaj dhe per kete arsye ne sot shijojmë jetën me plagët që hapi në trupin e tij.