Në Podgoricë mbahet sot mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, ku do të nënshkruhen 10 marrëveshje mes dy vendeve në fushën e energjisë, infrastrukturës, ekonomisë e rinisë. Ndërkohë që pritet të ketë edhe një deklaratë të përbashkët. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të mbahet në orën 13:00. Një vëmendje të madhe do të marrë edhe projekti për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë, që dy qeveritë do të nënshkruajnë një marrëveshje. Projekti që do të nënshkruhet për ndërtimin e urës pritet që ta kthejë këtë në një zonë të përbashkët turistike, pasi do të lidhë Velipojën me pjesën tjetër të bregut në Malin e Zi.

Në mbledhjen e qeverisë që mbahet në ambientet e Akademisë së Shkencave do të nënshkruhet edhe marrëveshja që do t’i hapë rrugë ndërtimit të pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo pikë kufitare do të hapet pranë Ulqinit dhe Velipojës, në zonën midis Sveti Nikola (Mal i Zi) dhe Pulaj (Shqipëri) dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve. Po ashtu, një tjetër marrëveshje e rëndësishme do të jetë ajo për sigurimet shoqërore, njohja e pensioneve mes dy vendeve. Kjo është mbledhja e dytë që zhvillohet mes qeverive të dy vendeve. Takimi do të mbahet në Podgoricë në ambientet e Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve. Mbledhja do të nisë në orën 09:00 të mëngesit dhe do të zgjasë deri pasdite.

Pas nënshkrimit të dokumenteve të përbashkëta planifikohet të mbahet konferenca për shtyp e Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazović dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës.

Axhenda e plotë:
10:30 – Ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve para godinës së CANU-së.
10:45. – Nisja e seancës së përbashkët
(Kameramanët dhe fotografët mund të regjistrojnë ceremoninë e mirëseardhjes dhe fillimin e sesionit)
13:00 – Nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.
(Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.) Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve Edi Rama dhe Dritan Abazovic do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Marrëveshjet që do të nënshkruhen
-Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndertimin e urës në lumin e Bunës. (Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic).
-Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikes së Shqipërisë ((Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)
-Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi (Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i investimeve kapitale Ervin Ibrahimovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. (Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. (Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi (Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore Admir Adrović)
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijeve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi (Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja për Rininë dhe Fëmijet Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë Vasilije Llalloshevic.)
-Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025 (Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ministri i kulturës dhe Medias së Malit të Zi Masha Vllahovic).
-Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic).
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi (Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Orgeta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekic).