Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar në lidhje me pretendimet dhe akuzat që ka hedhur opozita për lidhjet e tij të pretenduara me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Ai shkroi në “Twitter” se kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës, që bëhet nga disa persona që shkojnë pas figurave të diskretituar.
Shefi i qeverisë theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë më të forta se kurrë. Kryeministri theksoi se ky rast është një abuzim me lirinë e fjalës dhe një dëshpërim total i opozitës në kohën kur drejtësia amerikane nuk ka ngritur asnjë akuzë.
“Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!
Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.
Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, shkruan Rama.