Para takimit Kurti-Vuçic të hënën në Bruksel, Miroslav Lajçak thekson, se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm. Sipas BE, temë diskutimi do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që gjatë raundit të ri të dialogut ta pranojnë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Më 27 shkurt në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell. “Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Plani i zbatimit me afate
Në takimin e së hënës do të diskutohet për afatet e zbatimit të propozimit evropian. Lajçak ka theksuar, se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm. “Gjithçka për të cilën biem dakord nën ndërmjetësimin tim, nuk ka vetëm pjesën politike, por edhe atë që flet qartë se kush është përgjegjës për çfarë, në çfarë afati, kështu që kjo është edhe pjesë e propozimit tonë që do ta diskutojmë të hënën. Pra, plani i zbatimit. Do të kemi të përcaktuar konkretisht se çfarë dhe në cilat afate duhet të bëhet dhe BE-ja do të luajë një rol qendror në monitorimin e përmbushjes së këtyre detyrimeve”, tha Lajçak.
Borell: Moment vendimtar
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, foli të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dialogun Kosovë-Serbi , ku përcolli mesazhin se “ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është një moment vendimtar”.
“Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar. BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë të qëndrueshme dhe largpamëse”, tha Borrell.
Takimi Kurti-Vuçiq-Borrell dhe Lajçak në nëntor 2022 në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit. “Aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, dhe i cili përmban njohjen de-facto.
E gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura”, tha Kurti në një seancë në Parlamentin e Kosovës.
Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Serbia do t’u përmbahet vijave të kuqe”. “Thelbi i diskutimeve do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Vuçiq dhe përsëriti se “Serbia nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Propozimi i Bashkimit Evropian apo siç njihet plani franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk është bërë publik zyrtarisht. Por në një draft, pjesë të të cilit kanë publikuar mediet, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, Kosovë-Serbi, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë.
Ndër këto të drejta parashihet respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë, pa specifikuar qartë se për çfarë aranzhimi bëhet fjalë.
DW