Superliga shqiptare zhvilloi sot tre ndeshjet e para për javën e 22-të. Në 13:00 nisi gjithçka për këtë javë, teksa Laçi humbi 0-1 me Bylisin. Në Kurbin vendosi goli i Flamur Ruçit në minutën e 55-të. Në 16:00 Teuta fitoi 1-0 me Kukësin falë golit të Grudës, teksa Partizani fitoi 3-0 me Erzenin në kryeqytet. Kjo javë mbyllet nesër me dy takime. Në 13:00 luhen Kastrioti – Tirana dhe Egnatia – Vllaznia.

Në Kurbin, Bylis fitoi 0-1 me Laçin në transfertë. Skuadra e Shensoit iu fal golit të Flamur Ruçit në minutën e 55-të të ndeshjes. Një aksion i rrjedhshëm nga ballshiotët bëri që Ruçi i vetëm përballë Selmanit të mos gabonte, me goditjen që përfundoi në rrjetë. Me këtë fitore, Bylis shkon në kuotën e 26 pikëve, teksa Laçi mbetet me 29 pikë.

Në “Niko Dovana”, Teuta fitoi 1-0 me Kukësin për javën e 22-të në Superligë. Ndeshja u vendos nga goli i Ildi Grudës në minutën e 26. Një top i gjatë për shkodranin bëri që Tafas të linte portën por pa ndalur aksionin, me Grudën që me një parabol nga hyrja e zonës i jep tri pikë durrsakëve të Martinit. Pas javës së 22-të, Teuta me 28 pikë mban vendin e shtatë. Kukësi me 25 pikë qëndron në vendin e parafundit.

Partizani fitoi 3-0 me Erzenin. Për javën e 22-të në Superligë, të kuqtë fituan në kompleksin e tyre në prani të mijëra tifozëve. Ndeshja nisi “malore” për djemtë e Colellas, që e panë veten me 10 lojtarë pas vetëm një minute lojë. Gueye ndërhyri keq, teksa pas konsultës me VAR kryesori Alla nxori të kuqin. Paçka se me një lojtar më pak, Rrapaj shënoi golin e parë në minutën e 45+1 me goditje dënimi. Me fillimin e pjesës së dytë, Partizani shënoi me Da Silvën në të 47 minutë. Hoti 17 minuta nga fundi shënoi golin e tretë. Me këtë fitore, Partizani mban vendin e dytë me 37 pikë, njëjtë sa kryesuesit e Tiranës. Bardheblutë kanë një ndeshje më pak.