Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në takimin dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Aleancës, që u mbajt në Selinë e NATO-s në Bruksel.

Fokusi i diskutimeve ishte lufta në Ukrainë, e cila javën që vjen shënon 1- vjetorin e fillimit të saj. Përfaqësuesit e lartë të vendeve të Aleancës theksuan nevojën urgjente për më shumë mbështetje me sisteme armatimi, tanke, artileri dhe municione të kalibrave të ndryshëm me qëllim mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus.

Këto çështje u adresuan edhe gjatë takimit të veçantë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u mbajt para fillimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes, në selinë e NATO-s, ku pjesë ishte gjithashtu edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës z. Jens Stoltenberg theksoi rëndësinë e rritjes së furnizimeve me armatim dhe municione për Kievin, në një kohë mjaft kritike për fatin e luftës atje.

Vëmendje të veçantë mori edhe forcimi i elementëve të deterrencës dhe mbrojtjes së NATO-s si dhe ngritja dhe zhvillimi i industrive të prodhimit të armatimit dhe municioneve të vendeve të Aleancës, me qëllim kompensimin e armatim-municioneve të dërguara në Ukrainë, por edhe për të shtuar rezervat e Aleatëve. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, veç pjesëmarrjes në takimin e Ministrave të Mbrojtjes dhe në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën mori pjesë edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve kontribuese në Grup-Batalionin e drejtuar nga Kanadaja në Letoni.

Ministri Peleshi e vlerësoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm, në një moment tepër kritik për mbrojtjen dhe sigurinë e Aleatëve. Po ashtu, ministri Peleshi cilësoi të rëndësishme edhe ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën, duke vlerësuar popullin ukrainas për kurajon dhe vendosmërinë e treguar, si dhe lidershipin e qeverisë, ndërsa po i afrohemi përvjetorit të parë të fillimit të luftës. Ky takim shërbeu edhe për hapjen e diskutimeve dhe çështjeve që priten të trajtohen gjatë Samitit të NATO-s që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në 11-12 korrik të këtij viti.

Gjatë takimeve në Bruksel, ministri Peleshi i shprehu ngushëllime homologut turk, për jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues që preku Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar.