Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se Shqipëria është e gatshme me të gjitha mundësitë që ka, të mbështesë Turqinë për përballimin e pasojave të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti.

Peleshi la sot një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur pranë ambasadës së Turqisë në Tiranë.

“Të tronditur dhe me kujtimin e kobshëm të natës së 26 nëntorit 2019, u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë në Turqi. Lutemi që shpirtrat e mijëra viktimave të gjejnë paqe, rikuperim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Të gatshëm në mbështetje, me të gjitha mundësitë tona për përballimin e pasojave të kësaj tragjedie”, tha ai.

Sipas raporteve zyrtare të publikuara sot, numri i viktimave të tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, tejkalon deri tani 11 000 persona.