Gjergji Gjata pritet të jetë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike që drejtohet nga Alibeaj dhe Lulzim Basha.
Gjata është një emër i njohur për demokratët e Korçës, pasi ai pak kohë më parë garoi në primaret e organizuara nga Berisha, por pa mundur të dalë fitues në një proces tejet të kontestuar.
Ai mundi të sigurojë 426 vota mes demokratëve të PD-së në Korçë.
Prej shumë vitesh ai ushtron profesionin e mjekut gjinekolog në Korçë, ndërsa mban edhe gradën doktor shkencash.
Kandidimi i mjekut Gjergj Gjata nga ana e demokratëve të pozicionuar krah Lulzim Bashës do të ishte një zgjedhje e mirë përballë socialistëve në garën e vendoreve të 14 majit, pasi deri më tani nuk ka dalë ndonjë figurë që gëzon një popullaritet të lartë si doktor Gjata.
Por pavarësisht mbështetjes që mjeku gëzon në bazë, ndërhyrjet nga Tirana dhe futja në listën e votimit të personave që nuk kishin aspak lidhje me Partinë Demokratike nxorën fituese Ledina Alollin, e cila nuk e ka pëlqimin dhe mbështetjen e bazës.
Denoncime të shumta për manipulime në këtë proces pati veçanërisht në zonat e thella të Korçës.
Ledina Alolli njihet edhe si kandidatja e zgjedhur nga Ervin Salianji, pasi mbështetja e saj përballë një figure të spikatur si mjeku Gjergji Gjata do të ishte e pamundur.
Vetëm pak muaj para se të garonte për primare ajo dështoi të zgjidhej kryetare e degës së PD-së, pasi demokratët masivisht votuan kundër saj, duke i dhënë vetëm 200 vota.
Ky fakt rrëzon jo vetëm procesin e primareve, por i heq PD-së mundësinë e fitores në bashkinë e Korçës, nëse Alolli do të regjistrohet si kandidate në zgjedhjet e 14 majit.