Përfaqësuesit e guidave turistike në një takim të zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë zbuluar disa nga arsyet pse turistët tërhiqen më shumë nga Tirana. Ata thanë se kryeqyteti është më i preferuari prej grupeve të turistëve që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.

“Për sa i përket qytetit, lëvizshmëria, në kuadrin e lëvizjes së grupeve turistike, pasi ne e jetojmë vetë, Tirana është shumë më e lehtësuar. Të lëvizësh me grupe nga Sheshi “Nënë Tereza”, te Sheshi “Skënderbej”, apo deri te Bulevardi “Zogu I” është shumë e këndshme edhe ecja, edhe fasada, edhe vijëzimet, edhe siguria ndaj makinave. Është kënaqësi që ne ta prezantojmë kryeqytetin tonë, fytyrën e shtetit tonë, në sytë e vizitorëve nga e gjithë bota, që gjithmonë e më shumë po vijnë nga të gjitha nacionalitetet tashmë”, u shpreh kryetarja e Shoqata së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Ardiola Alikaj.

“Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm, besoj për të gjithë ju, që nga ardhjet e turistëve nga kombësi të ndryshme, tregje të reja dhe Tirana gjithmonë e hapur për destinacion turistik për t’u zhvilluar edhe turizmin e qëndrueshëm, edhe aventurën. Destinacionet që ne zhvillojmë kryesisht janë brenda rrethinave të Tiranës, diku te 20 km, në 9 fshatra. Kemi diku te 130 destinacione turistike, që janë nga 14-18 km me biçikletë. Kemi promovuar gjithashtu në çdo fshat ku shkojmë si në Shëngjergj, Baldushk, fshatrat e tjerë rreth Tiranës, guidat lokale,” tha Ergys Vladi

“Tirana për mua ka qenë, të paktën në rrugëtimin tim, ai asi nën mëngë, sepse të ndodh sidomos, patjetër me europianët, e dini, e keni hasur që kanë pak atë egoizmin që ne jemi qytete europiane dhe kur të vjen një italian, edhe ti do i tregosh, po themi një qytet të mrekullueshëm, ose një perlë siç është Gjirokastra, apo Berati, por nëse flasim për promovimin e Shqipërisë në gjeneral, kartën europiane e merr nga Tirana.

Unë e them me plot bindje, sidomos me pjesën e këtyre europianëve pak fanatikë, kur zbresim në Tiranë, kur shikojnë sheshin, kur shikojnë bulevardin, kur shikojnë shërbimin nëpër lokale, nëpër hoteleri, ndryshon totalisht nga pjesa tejtër e Shqipërisë,” shprehet Ermonida, një tjetër përfaqësuese e shoqatës së së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike.
Sipas tyre 70-80% e turistëve që vizitojnë Shqipërinë, vjen në Tiranë. Një turist në Shqipëri kalon mesatarisht 6-7 ditë në vendin tonë.