Orët e para të mëngjesit por edhe mbrëmja kur edhe temperaturat janë më të ulëta, duhet të shmangen nga moshat më vulnerabël, siç janë të vegjlit, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Bluzat e bardha këshillojnë qytetarët që të konsumojnë sa më shumë lëngje e supa, në mënyrë që të parandalojnë virozat dhe gripin.

“I ftohti sjell shumë problematika. Sidomos ul imunitetin e rrugëve të frymëmarrjes. Rëndon sëmundjet kronike, siç janë sëmundjet e zemrës. Mushkërive. Këto problematika i jep më shumë tek fëmijët dhe të moshuarit. Në kohën e dimrit, fëmijët janë të detyruar të grumbullohen në institucione. Kështu që dhe virozat përhapen më me shpejtësi. Duhet të merren masa për t’i lehtësuar. Fëmijët dhe të moshuarit duhet të shmangin të dalurin në kohën e pikut kur është shumë ftohtë. Mëngjesin dhe darkën. Mos të rrinë shumë gjatë në vende të ftohta. Të mbulohen me shaje, doreza, kapuç. Të ushqehen me gjëra të ngrohta, supëra, çajra”, tha mjekja Mirela Sula.

Kujdes duhet patur edhe nga kondicionerët në mënyrë që të mos ketë shumë diferencë temperaturash me ambientet e jashtme, ndërsa mosha e tretë duhet të jetë strikte me ilaçet.

“Temperatura e shtëpisë duhet të qëndrojë 24 gradë dhe të ajroset herë pas here ambienti. Duhet të përdoren dhe proteina. Të moshuarit duhet të marrin rregullisht dhe mjekimet. Të kenë një lidhje të mirë me mjekun e familjes dhe farmacistit. Të pa mundurve ju ofrohet dhe shërbim në shtëpi. Nëse kanë grip duhet të marrin paracetamol, ushqime të ngrohta”, tregoi Sula.

Për grupet janë të pamundura fizikisht për t’u paraqitur në spital, çdo qendër shëndetësore ofron edhe shërbimin e mjekut në shtëpi.

“Së fundmi është vënë shërbimi në shtëpi. Është për kategorinë e të pamundurve. Si fillim shkon stafi shëndetësor dhe nëse është nevoja shkon mjeku. Të gjitha shërbimet ofrohen, injeksione, vizita. Edhe në këto ditë të ftohta patjetër”, tha mjekja e familjes, Mirela Sula.

Prej më shumë se dy muajsh, urgjencat e spitaleve janë të tejmbushura nga qytetarë që kërkojnë ndihmë nga infeksionet virale.