Shumë njerëz e kanë të domosdoshme një kafe sapo ngrihen nga shtrati. Por, kjo është një rutinë që mund të jetë e dëmshme për shëndetin. Një seri studimesh të mbledhura nga Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë e Shteteve të Bashkuara nxjerr në pah anët negative të pirjes së kafesë me stomakun bosh. Kur pimë kafe, hidhësia e saj mund të favorizojë prodhimin e acidit të zorrëve, që do të thotë aciditet në trupin tonë.
Domethënë, duke pirë kafe pa ngrënë diçka që mund të funksionojë si mbrojtës i stomakut, mund të pësojmë probleme të tretjes dhe urth. Përveç kësaj, pirja e kafesë shumë shpesh gjatë ditës nuk është e mirë për trupin tonë. Kafeina në doza të larta mund të krijojë një varësi në trurin tonë dhe trupi mund të kërkojë gjithnjë e më shumë sasi kafeje për të arritur të njëjtin efekt që kemi marrë me një filxhan të vetëm.
Pirja e disa filxhanëve në ditë mund të shkaktojë ankth dhe në rastin më të keq, probleme me zemrën. Përveç kësaj, kafeina është një armik i madh i gjumit, ndaj duhet të shmangni pirjen e saj në mbrëmje.
Ndërkohë, pirja e shumë kafeje me stomakun bosh mund të shkaktojë ndryshime të kortizolit, hormonit të stresit. Ky hormon regjistron nivelet e tij më të larta në mëngjes, kështu që nuk është e përshtatshme të pini kafe në orë kaq të hershme.