Pas një darke me zonjën e parë, të shtunën mbrëma, Joe Biden mori udhë për një destinacion të largët dhe të rrezikshëm. Presidenti 80-vjeçar po nisej drejt Ukrainës, sipas raportimeve të revistës Time, kundër dëshirës së Pentagonit dhe shërbimeve sekrete. Pas udhëtimit të gjatë me tren, kur u shfaq në Kyiv duke e befasuar krejt botën, Biden i tha Volodymyr Zenelskyit se SHBA-ja “është këtu për të qëndruar dhe mbështetur”. Ai e siguroi se lufta e Putinit po dështon, ndërsa Zelensky u ndje më afër fitores pas kësaj vizite.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e vizitoi për herë të parë Ukrainën, që kur vendi gjendet në luftë përballë Rusisë. Pa asnjë paralajmërim, vizita e Biden erdhi herët të hënën, gati një vit nga fillimi i pushtimit rus. Vizita e Biden erdhi në një moment kritik të luftës, ndërsa Rusia po përgatitet për një ofensivë të re në pranverë. Biden mbërriti në Kyiv në orën 08:00 me orën lokale. “Është mirë të kthehesh në Kyiv”, tha presidenti amerikan me të mbërrtitur atje dhe u përshëndet nga ambasadorja e SHBA-së atje, Bridget Brink.
Autokolona e presidentit të SHBA-së mbërriti në Pallatin Mariinsky vetëm pas orës 8:30 të mëngjesit me orën lokale. Ai u përshëndet në hyrje nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe gruaja e tij, Olena Zelenska. “Faleminderit që erdhët”, i tha Zelensky duke ia shtrënguar dorën. “Më e rëndësishmja, si janë fëmijët?”, e pyeti Biden, ndërsa shtoi: “Është e mahnitshme të të shoh ty. Më tej, Zelensky tha se shkuarja e Biden atje është moment i “madh” për Ukrainën.
Përgjatë një shëtitje në Kyiv, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë qytetin. Biden është larguar Ukraina të hënën paradite duke u nisur drejt Polonisë.
Më shumë armë dhe sanksione të reja kundër Rusisë
Presidenti amerikan tregoi se do t’ia japin një ndihmë të re Ukrainës prej gjysmë miliardi dollarësh. Paralel me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se paketa e re e ndihmës do të përfshijë më shumë pajisje ushtarake, municion artlirerie e aviatorë. Zelensky tha se me Bidenin folën për armët me rreze të gjatë veprimi dhe armët e tjera për të cilat ka nevojë vendi i tij.
Përveç Zelenskyt, Biden u takua edhe me zonjën e parë ukrainase, Olena Zelenska në pallatin presidencial të Kyivit. Biden tha nga Kyivi se shkoi atje për ta riafirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Ukrainën. Në këtë vizitë historike, ai paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër “elitave dhe kompanive që po përpiqen ta mbështesin makinerinë luftarake të Rusisë”. “Ndërsa bota përgatitet ta shënojë një vjetorin e pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, unë jam sot në Kyiv për t’u takuar me Presidentin Zelensky dhe për të riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha Biden.
Biden: Lufta e Putinit po dështon
Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi nga Kyivi se “lufta pushtuese e Putinit po dështon”. “Putini mendonte se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë”, tha Biden duke qëndruar përkrah presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky. “Ai mendoi se mund të na shmangte. Nuk mendoj se ai po e mendon këtë tani”.
“Ai thjesht ka gabuar”, tha Biden për Putinin. “Një vit më vonë, provat janë pikërisht këtu në këtë dhomë. Ne qëndrojmë këtu së bashku”. Biden kujtoi fillimin e luftës, kur bota po shikonte me ankth grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës. Presidenti amerikan kujtoi se si ai dhe Zelensky folën me telefon pasi “aeroplanët rusë ishin në ajër dhe tanket po e kalonin kufirin”. “Më thatë se mund të dëgjoja shpërthime në sfond”, tha Biden. “Unë kurrë nuk do ta harroj atë”. “Bota ishte gati të ndryshonte”, tha ai, duke kujtuar atë që Zelensky i kishte kërkuar ta bënte: “Mblidh liderët e botës. Kërkojuni atyre ta mbështesin Ukrainën”.
“Ju thatë se nuk e dinit se kur do të mund të flisnim përsëri. Atë natë të errët një vit më parë, bota fjalë për fjalë në atë kohë po përgatitej për rënien e Kyivit”, tha Biden. “Ndoshta edhe fundin e Ukrainës”. “Një vit më vonë, Kyivi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron në këmbë”, deklaroi ai. “Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”, tha Biden.
Plani i vizitës
Ndërsa trafiku ndaloi në Kyiv të hënën në mëngjes, thashethemet po qarkullonin: një vizitor i profilit të lartë është rrugës. Përgatitjet e sigurisë lanë të kuptohej se do të ndodhte një vizitë e nivelit të lartë, shumë të lartë. Shumë rrugë në qendër të qytetit u mbyllën dhe policia e ushtria ishte në gjendje gatishmërie në kryqytetin e një vendi të shkatërruar nga lufta. Udhëtimi i Biden u mbulua me fshehtësi, për shkak të shqetësimeve të mëdha të sigurisë për ta vizituar një zonë aktive lufte. Air Force One u nis nga baza e përbashkët Andrews. Gazetarët në bordin e avionit nuk u lejuan t’i mbanin pajisjet e tyre me vete. Të shtunën në mbrëmje, para se të nisej, Biden doli për darkë me gruan e tij në Ëashington. Ai nuk u pa më në publik derisa mbërriti në Kyiv të hënën në mëngjes. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kishin përjashtuar vazhdimisht një vizitë në fillim të vitit. Biden udhëtoi me një rreth relativisht të vogël, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan, zëvendës shefen e shtabit Jen O’Malley Dillon dhe ndihmësen personale Annie Tomasini.
Zelensky e kishte ftuar për herë të parë Bidenin ta vizitonte Kyivin një vit më parë, ndërsa forcat ruse po grumbulloheshin në kufi. CNN raportoi të hënën se Biden kishte vendosur tek të premten ta zhvillonte këtë vizitë me rrezikshmëri të lartë, pas një debati me anëtarët e lartë të ekipit të tij të sigurisë kombëtare në Zyrën Ovale. Disa orë para se të nisej, Shtetet e Bashkuara e informuan Rusinë për planet për ta vizituar kryeqytetin ukrainas për “qëllime dekonflikti”, sipas këshilltarit të sigurimit kombëtar të Biden, Jake Sullivan. Planifikimi përfshiu zyrën e shefit të shtabit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë, me të dhëna nga një numër i vogël zyrtarësh në Shërbimin Sekret të SHBA-së, Pentagonin dhe Komunitetin e Inteligjencës, sipas zëvendëskëshilltarit të sigurisë kombëtare Jon Finer. Biden u informua rregullisht për planet për udhëtimin, duke përfshirë vlerësimet e kërcënimeve. Biden u largua i kënaqur nga Kyivi, Zelensky tha se ai e la Ukrainën “më afër fitores”.
Presidenti Joe Biden u largua nga kryeqyteti i Ukrainës, duke përfunduar një vizitë historike. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se negociatat midis ekipeve të tij dhe presidentit amerikan Joe Biden në Kyiv ishin një nxitje e madhe për vendin e tij. “Kjo bisedë na sjell më afër fitores”, tha Zelensky, duke folur së bashku me Biden të hënën. “Rezultatet e kësaj vizite me siguri do të shihen dhe me siguri do të kenë pasoja në fushën e betejës në çlirimin e territoreve tona”, shtoi ai.
*Teksti u bazua në raportimet e CNN