Në romanin e tij “Kandidati”, ish-politikani dhe shkrimtari Ben Blushi tetë vite më parë përmes fantazisë solli një situatë politike, në një qytet ku zgjidhet kryetar bashkie një kandidat i vdekur, i cili ishte ndarë nga jeta në prag të fushatës elektorale. Me mjeshtërinë e tij, Blushi tregon se si një person, mund të zgjidhet kryetar bashkie, edhe duke qenë i vdekur.
“Kandidati”, një botim i ish-shtëpisë botuese “MAPO”, sot shtëpia botuese e UET PRESS është një roman tipik, fabula e të cilit mund të përmblidhet “brenda një arre” ose e thënë ndryshe, vetëm brenda pak rreshtave. Një fabul, e cila, siç e thotë edhe vetë personazhi kryesor: është një fabul e pamundur, duke qenë e tillë, mbështetet pikërisht ngaqë është e pamundur. Dhe fabula vazhdon… Njëri nga kandidatët për bashkinë e Basenit, vdes papritur, pas hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë fiton. Një reklamues sallami, Simon Shuter i mbetur pothuajse i papunë, merr porosinë nga familja Sedini të drejtojë fushatën elektorale për kryetar bashkie të Kadim Sedinit. Problemi qëndron tek fakti se kandidati për kryetar ka vdekur dhe detyra e Shuterit është të marrë një të vdekur dhe të bëjë të pamundurën për ta zgjedhur kryetar bashkie. Shuteri ka vendosur të ngjall të vdekurin që shqiptarët ta votojnë.
Alegoria e këtij romani është e qartë: shqiptarët votojnë politikanë të vdekur, njerëz që e kanë të pamundur të prodhojnë më diçka të mirë për komunitetin. Mirëpo, cinizmi i Blushit, sado fshikullues shfaqet me sistemin, në fakt, s’mund të jetë aq cinizëm sa është paramenduar kohë më parë dhe sigurisht, fabula e romanit, duke qenë e pamundur, ngjan më shumë se çdo gjë tjetër me ato përrallat që flasin për kapërcimin e ylberit dhe fill pas kalimit, pra, matanë ylberit, fabula nga diçka e pamundur, shndërrohet aty për aty në diçka të mundur.
E përditshmja dhe fantazia në art, më shumë se kudo tjetër, i japin kuptim jetës sonë; nëpërmjet tyre ne jemi në gjendje të përballojmë shqetësimet tona dhe të gjejmë qartësi dhe paqe në praninë e tyre. Kapacitetin që ka fantazia për t’i dhënë kuptim hamendësimeve tona është një nga arsyet përse arti mund të shikohet si një zëvendësues i realitetit. Përse t’i japim përparësi realitetit? Përse të mos themi që realiteti është një zëvendësues i fantazisë? Për të shkuar edhe më tej, përse t’i përshkruajmë të dyja si kundërshtare kur në fakt realiteti dhe fantazia janë dy dyer drejt një hapësire të vetme dhe në atë hapësirë të vetme ne gjejmë shtëpinë tonë.
A nuk ndodhi kështu, si në bashkinë e Basenit, ku një 41-vjeçar i quajtur Omar Menendez, vetëm 41 vjeç, u shpall fitues edhe pse i vdekur në zgjedhjet vendore në qytetin Puerto Lopez, në Ekuador. Ai u qëllua për vdekje vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit, ku disa persona të armatosur, hynë në dhomën ku po qëndronte me disa punonjës të fushatës së tij zgjedhore.
Ka pasur dhe vazhdon të ketë mendime krejt të ndryshme për romanin “Kandidati”, të shkrimtarit Ben Blushi. Njëri, i vjetër, pakëz naiv, që besonte se subjekti i fabulës lidhej me personazhe konkrete: emra politikanësh, mediash, biznesesh etj, mendimi tjetër, modern, rrjedhimisht aspak naiv, që dëshmonte se romani, veçanërisht fabula e tij, jo vetëm që nuk lidhej me ngjarje konkrete, emra politikanësh ose jo të tillë, por më shumë se çdo gjë tjetër ndoshta në këtë botë, ishte fryt i fantazisë së autorit, e derdhur ndoshta në letër të bardhë për t’i shërbyer askujt tjetër, përveç se letërsisë dhe veçanërisht asaj shqiptare. Në të dy këto mendime, e vërteta dhe jo e vërteta janë të përziera. Një gjë të tillë më shumë se çdo gjë tjetër në botë na e kujton miti i Orfeut. Thelbi i këtij miti lidhet me mundësitë e artit. Orfeu arriti që me artin e tij të bëjë gjëra të pabesueshme dhe, ndonëse nuk arriti dot të kapërcente murin e vdekjes, më pranë se kushdo iu afrua së pamundurës.
Ajo çfarë ndodhi vetëm 4 ditë më parë në Puerto Lopez të Ekuadorit, ka ndodhur para tetë vitesh po kaq dramatikisht në bashkinë e Basenit, një fabul e krijuar nga Ben Blushi në romanin e tij “Kandidati”. Koha dhe ngjarjet në letërsi janë të ngrira, ato kanë ligjet e tyre dhe funksionojnë, sipas një kalendari pa mekanizëm. Kjo ndoshta është edhe një nga të veçantat e letërsisë. Duke qenë e tillë, njeriu më shumë se kushdo tjetër është munduar të gjejë të përditshmen e tij aty, madje edhe atëherë kur s’e ka gjetur, është përpjekur ta krijojë atë.
Kjo formë e të menduarit, më shumë se gjithçka tjetër, tregon një nivel zero të gjykimit estetik të artit në shoqërinë tonë, duke e lidhur këtë të fundit në përgjithësi me një trashëgimi të mbetur nga e kaluara real-socializmit, ku me pyetjen: Ç’ka dashur të thotë autori?, ne kemi gjykuar dhe stërgjykuar nga pikëpamja sociale një krijim letrar. Ajo çfarë ndodh në letërsi, rastis të lidhet deri-diku me realitetin, por asnjëherë dhe me shumë gjasa në asnjë rast drejtpërdrejt, pasi letërsia nuk mund të ishte art nëse nuk do të kishte pavarësinë e saj. Fabula e autorit Ben Blushi, arriti ta kapërcente kufirin shqiptar, sepse ishte, veç të tjerash, jo vetëm e pavarur, por pjellë e fantazisë njerëzore, që falë talentit të tij, shpërfaqej si reale sa herë i largoheshe, e në të njëjtën kohë, dukej trill sa herë i afroheshe. Kur fabula e një shkrimtari shqiptar vjen si realitet nga përtej kontinentit, pas 8 vitesh që është shkruar, kjo ndodh vetëm se letërsia për nga natyra është e pavarur dhe produkt e fantazisë njerëzore.