Kryetari i qarkut të Tiranës Aldrin Dalipi e ka cilësuar Tiranën një kryeqytet që nuk ka të krahasuar sa i takon zhvillimit të saj nën drejtimin e Erion Veliajt. Në “Zona Zero”, Dalipi përmendi parqet dhe fushat sportive në çdo lagje dhe cilësinë e çerdheve dhe kopshteve duke theksuar se Tirana ka ndryshuar si nata me ditën në një kohë shumë të shpejtë.
“Tirana nuk ka të krahasuar. Sot kemi 85 parqe rekretative dhe kënde lojërash në shumë lagje. Në çdo cep të lagjeve kemi edhe fushat sportive që po shtohen. Ky projekt nuk do të ndalet. Tirana nuk ka të krahasuar. Nëse flasim për objektet arsimore më thoni nëse nuk synohen nga prindërit kopshte dhe çerdhet publike. Tirana ndryshoi si nata me ditën në një kohë shumë të shpejtë”, deklaroi Dalipi. Ai shtoi se piramida e Tiranës do të jetë një nga qendrat më të mëdha në Europë për teknologjinë dhe inovacionin, si dhe theksoi se kryeqyteti shqiptar është sot një qendër e rëndësishme e turizmit europian.
“Zhvillimi është i pandalshëm dhe duhet ta shohim Tiranën me sytë e të ardhmes. Tirana sot po zhvillohet për gjeneratën e re. Piramida do të jetë një nga qendrat më të mëdha në Europë, në rajon po e po, për teknologjinë dhe inovacionin. Qendra Tumo, shumë qendra të mëdha që po zhvillohen në këtë drejtim. Po bëhet gjithçka që Tirana të meritojë atë që është sot, një qendër e rëndësishme e turizmit europian që i bën nder Shqipërisë”, deklaroi ai.