1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e nesërme për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga ora 12:00 që nis protesta, do të jetë i bllokuar Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit.
Protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi PD e Berishës thotë se do e përcaktojnë vetë qytetarët. Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë. Sipas organizatorëve, në shesh do të jenë rreth 100 mijë qytetarë
Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.