Gazetari dhe analisti Erl Murati është shprehur se militantët e PD që erdhën këtë të shtunë në Tiranë për protestë janë tradhtuar nga Sali Berisha, pasi lideri demokrat kishte dy javë që fliste për revolucion, por i katandisi ata në një xhiro në Tiranë.

“Njerëzit u thirrën për revolucion dhe pamë që kjo protestë që Berisha e shfryu këtë cunam popullor duke e katandisur në një xhiro të zakonshme që PD bënte kur drejtohej nga Basha. Të paktën nuk pamë që Berisha të drejtonte një revolucion. Kishte një pjesëmarrje të madhe.

Në 2019 kur PD bënte protesta dhe bënte ecje rreth kryeministrisë, militantët e kritikonin Bashën për atë që bënte. Berisha e shfryu zemërimin popullor duke e katandisur në një protestë të zakonshme”, u shpreh Murati në Panorama TV.

Më tej, gjatë fjalës së tij gazetari tha se Berisha duhet të jetë i sinqertë me demokratët dhe t’u thotë atyre se protesta do jetë rutinë dhe me parakalime. Sipas Erl Muratit, në momentin që flitet për qëndrese dhe revolucion, simpatizantët nuk mund të mbahen vetëm gjysmë ore para Kryeministrisë.

“Berisha duhet të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë me simpatizantët. Nëse ka vendosur të bëjë protesta rutinë me parakalime, është e drejtë që të ndodhë kështu. Por duhet t’ua thotë simpatizantëve. Protesta në çdo rast duhet të jetë e qetë dhe paqësore, por në momentin që flet për revolucion dhe qëndresë, nuk mund të bëhet me gjysmë ore para kryeministrisë.

Berisha e tradhtoi protestën dhe pritshmëritë e simpatizantëve. Njerëzit që kanë ardhur nga rrethet dhe kanë dalë aty për të manifestuar, kanë kosto për këtë që ka ndodhur. Paguajnë nga koha e tyre për të ardhur në Tiranë. Berisha nuk e mbajti premtimin për një qëndresë qytetare deri në largimin e Ramës. Këtu ne vetëm qëndresë qytetare dhe mosbindje civile nuk pamë. Në momente të caktuara edhe Basha ka bërë protesta më të forta”, përmbylli gazetari.