Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të përfundojë mandatin e tij në tetor, siç ishte planifikuar, tha zëdhënësja e Aleancës pasi një gazetë gjermane raportoi se anëtarët mund të rinovojnë mandatin e tij.

“Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg u zgjat tre herë dhe ai shërbeu gjithsej gati nëntë vjet”, tha Oana Lungescu, raporton Reuters.

“Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm skadon në tetor të këtij viti dhe ai nuk ka ndërmend të kërkojë vazhdim”, shtoi ajo.

Gazeta gjermane Welt am Sonntag raportoi se mandati i Stoltenberg në krye të aleancës ushtarako-politike do të zgjatet për të ruajtur stabilitetin gjatë luftës në Ukrainë.

Në krye të NATO-s që nga viti 2014

Me profesion ekonomist dhe ish-president i Partisë së Punës të Norvegjisë, Stoltenberg ishte kryeministër nga viti 2000 në 2001 dhe përsëri nga viti 2005 në 2013, dhe në vitin 2014 u bë kreu i NATO-s. Në karrierën e tij ka qenë edhe ministër i Financave dhe Energjetikës.

Anëtarët e Aleancës duan që Stoltenberg të kryesojë organizatën me rastin e 75-vjetorit, të cilin do ta shënojnë në samitin e prillit 2024 në Uashington, shkruan Welt.

Ai gjithashtu shton se Stoltenberg do të jetë në një pozicion për të konkurruar për presidencën e Bankës Botërore kur David Malpass të largohet në të njëjtën kohë.

Nuk ka ende indikacione se kush mund ta pasojë Stoltenberg, por Welt shkruan se kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace janë ndër kandidatët kryesorë.

Si kandidatë të mundshëm përmenden edhe ish-kryeministri italian Mario Draghi dhe presidenti rumun Klaus Iohannis, shkruan dpa.

Agjencia gjermane vë në dukje se Stoltenberg ka fituar njohjen si një negociator i aftë në mesin e 30 anëtarëve të NATO-s që ndryshojnë ndjeshëm në disa çështje.

Në veçanti, konsiderohet i suksesshëm në zbutjen e mosmarrëveshjes për shpenzimet e mbrojtjes që shtetet anëtare të Aleancës duhet të ndajnë, një çështje e nxehtë gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Së fundmi, Stoltenberg koordinoi përgjigjen e NATO-s ndaj agresionit rus kundër Ukrainës dhe inkurajoi dërgesat në shkallë të gjerë të armëve në Ukrainë, në mënyrë që ajo të mund të mbrohej.

Stoltenberg tani është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s me mandatin e dytë më të gjatë në Aleancë, pasi vetëm Joseph Luns nga Holanda, i cili e mbajti këtë post nga viti 1971 deri në 1984, ishte më i gjatë se ai.

Vendimi për Sekretarin e ri të Përgjithshëm duhet të merret nga aleanca 30-anëtare në korrik në një samit në Vilnius. Vendimi është unanim. /tesheshi.com/