Një pjesë e rëndësishme e të menduarit ndryshe është të mësosh të shohësh ndryshe. Ne mund të mësojmë ta bëjmë këtë nga burime të ndryshme – njerëz si Robert Taylor, i cili shpiku sapunin e butë, pasi pa se sa i sikletshëm bëhej sapuni pas disa përdorimeve; regjisorë filmash si Jean-Luc Godard, i cili popullarizoi “jump cut”, kritikë letrarë si Viktor Shklovsky, i cili shkroi për “çfamiljarizimin”; dhe madje edhe Sherlock Holmes, i cili bëri shumë nga zbulimet e tij ndërsa i tregonte Dr. Watsonit (me zë të lartë) pikërisht atë që po shikonte. Të shohësh ndryshe është një mënyrë për të kundërshtuar tendencën tonë, si qenie të ndërtuara për t’u uniformizuar, për t’u zhytur në mënyrën e ditur të të parit dhe të përjetimit. Gjithashtu, kështu ndërtohet e ardhmja.
“Mendo ndryshe”, thuhej në reklamën e famshme të Apple të vitit 1997. Këshilla të shkëlqyera, padyshim, për të gjithë krijuesit, novatorët dhe sipërmarrësit.
Por, krahas të menduarit ndryshe për të dalë me ide apo produkte të reja revolucionare, ekziston edhe të parit ndryshe. Krijuesit, novatorët dhe sipërmarrësit e mëdhenj e shikojnë botën në mënyra që janë të ndryshme nga ato, që shumë prej nesh i shikojnë gjërat. Kjo është arsyeja pse ata shohin mundësi që të tjerët i humbasin.
Historia e Velcros është e njohur. Një inxhinier zviceran, George de Mestral, vendosi të shikonte më nga afër gjembat (nga bimët) që gjeti të ngjitura pas rrobave të tij pas një shëtitjeje në pyll. Ai nxori mikroskopin dhe pa se natyra kishte projektuar grepa, të cilat më pas ishin ngjitur në fibra të lidhura në rrobat e tij. Lindi mënyra e famshme e kapjes së rrobave me ngjitje, si alternativë ndaj zinxhirit, me emrin Velcro. (Sot, ekziston një fushë e tërë, e quajtur biomimetikë, e përkushtuar ndaj imitimit të natyrës për të zgjidhur problemet njerëzore.)
Më pak e njohur, por po aq e famshme, është historia e sapunit të lëngët. Një sipërmarrës amerikan, Robert Taylor, vendosi të shikojë më nga afër se si dukeshin copat e sapunit sapo ç mbështilleshin dhe përdoreshin në banjë. Duke zmadhuar pjatën e sapunit në një mjedis përndryshe të pastër, ai vuri re një pellg të shpifur shkaktuar prej kullimit. Vendosi që përgjigja ishte sapuni i lëngshëm i shpërndarë në një enë të bukur me pompë dhe kështu lindi sapuni i lëngët, i cili ndryshoi të gjithë industrinë e sapunit.
Dy sipërmarrës brilantë, që i shikonin gjërat ndryshe. Qoftë përmes një mikroskopi apo një lenteje zmadhuese, qoftë fjalë për fjalë apo metaforikisht, ata hodhën hapin kryesor për të parë të njohurën, në një mënyrë të panjohur. Matematikani i madh francez Blaise Pascal thoshte: “Mendjet e vogla merren me të jashtëzakonshmen, mendjet e mëdha me të zakonshmen”. Duket se kishte në mendje diçka të ngjashme: Shikoni se çfarë kemi përpara syve, por shikoni në një mënyrë që i shpëton shumicës së njerëzve.
Ka një fjalë për këtë: çfamiljarizimi. Duke punuar në fillim të shekullit të njëzetë, një teoricien rus i letërsisë i quajtur Viktor Shklovsky vuri në dukje se si Tolstoi arriti një efekt më të madh në shkrimet e tij, nëpërmjet teknikave të tilla si përshkrimi i objekteve nga një këndvështrim i shtrembëruar dhe refuzimi për të përdorur emrat e zakonshëm për objektet, dhe në përgjithësi duke “bërë të çuditshme” (çfamiljarizuar) gjëra që ishin të njohura.
Më vonë, regjisori i madh francez Jean-Luc Godard revolucionarizoi kinemanë me përdorimin e të ashtuquajturave jump-cut, në filmin “Breathless”. E marrë si e mirëqenë sot, kjo risi duhet t’u jetë dukur e çuditshme shumë njerëzve në atë kohë. Deri atëherë, përpjekje të mëdha ishin bërë për të krijuar një rrjedhë të qetë e të vazhdueshme (“vazhdimësi”) në ekran. Në fund të fundit, një rrjedhë e vazhdueshme është mënyra se si ne përjetojmë pamjen, falë funksionimit të trurit tonë. Kjo është e njohura. Por Godard vendosi ta prishë këtë rrjedhë për të na detyruar të largohemi nga supozimet tona të zakonshme dhe t’i shohim personazhet e tij si, fjalë për fjalë, njerëz që kërcejnë në hapësirë dhe shkëputen. Tani, ne përjetojmë ndjenjat e izolimit që përjetojnë personazhet e tij dhe gjithashtu përpjekjet e tyre – të pasuksesshme dhe tragjike, në fund – për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Godard ngriti teknikën e çfamiljarizimit nga letra, në ekran.
Shembujt e këtyre artistëve të mëdhenj u japin të gjithëve, përfshirë sipërmarrësve, disa këshilla se si të ndalojnë së pari botën në mënyrën e njohur dhe të fillojnë ta shohin atë në mënyra të panjohura dhe gjeneruese. Kur e shikojmë botën, nuk duhet thjesht të vëzhgojmë, por të shohim me një perspektivë qëllimisht të ndryshme. Jo vetëm t’i themi emrin asaj që na rrethon, por të dalim me emra të rinj. Jo vetëm të konsiderojmë të tërën, por të ndajmë gjërat në copa. Këto teknika mund të na ndihmojnë të shohim rrugën drejt së resë dhe revolucionares, qoftë në art apo në biznes.
Sherlock Holmes i tha një herë Watson-it: “Ti shikon, por nuk vëzhgon. Dallimi është i qartë.” Më shumë këshilla se si të depërtoni në të njohurën dhe në vend të kësaj të vëzhgoni, të vëzhgoni me të vërtetë, vijnë nga psikologia dhe shkrimtarja Maria Konnikova, në librin e saj “Mastermind: How to Think Like Sherlock Holmes”. Ajo shkruan: “Për të vëzhguar, duhet të mësoni të ndani situatën nga interpretimi, veten nga ajo që po shihni”. Si një teknikë për të përmirësuar aftësinë tonë për të vepruar në këtë mënyrë, Konnikova sugjeron t’ia përshkruajmë një situatë me interes me zë të lartë ose me shkrim, një shoku a një shoqeje. Siç vë në dukje ajo, Holmes e përdori Watson-in në këtë mënyrë për të folur përmes vëzhgimeve të tij kur hetonte një rast dhe, shpesh, ishte përmes këtij ushtrimi që pikat kyçe të çështjes bëheshin të dukshme. Kjo është një teknikë tjetër që mund ta provojnë artistët dhe sipërmarrësit aspirantë – dhe detektivët padyshim.
Truri ynë është ndërtuar për të na penguar që të kushtojmë shumë vëmendje. Kjo tregohet mirë nga iluzioni optik i quajtur Troxler fading (nga emri i mjekut zviceran të shekullit të nëntëmbëdhjetë që zbuloi efektin). Nëse diçka paraqitet me një imazh të qëndrueshëm në zonën e pamjes sonë periferike, ne në fakt ndalojmë ta shohim atë pas një kohe. Ky fenomen ndoshta tregon për një mënyrë efikase me të cilën funksionon truri. Neuronet ndalojnë së ndezuri sapo të kenë informacion të mjaftueshëm për një stimul të pandryshueshëm. Por kjo nuk na ndihmon.
Ne mund të mendojmë për përpjekjen jo vetëm për të menduar ndryshe, por edhe për të parë ndryshe, si një mënyrë për të kundërshtuar prirjen tonë të ndërtuar për t’u zakonuar, ose për t’u zhytur në mënyrën e njohur të të parit dhe të përjetimit. Një mënyrë në të cilën artistët, sipërmarrësit dhe krijuesit e mëdhenj të të gjitha llojeve dalin me njohuritë që u mundësojnë atyre të ndryshojnë botën është se, ata nuk e shohin rrugën si shumica prej nesh. Metodat e tyre na mësojnë se duke parë ndryshe, ne mund të përfundojmë duke parë atë që askush tjetër nuk e ka parë ende. Kështu ndërtohet e ardhmja.