Në një kohë që qeveria po përgatitet për indeksimin e pensioneve, ekspertët kërkojnë që rritja të bëhet duke marrë në referencë inflacionin tek ushqimet dhe jo atë të përgjithshmin. Ndërkohë, Ministria e Financave parashikon shpërndarjen e një fondi special në vlerën e 2.2 miliardë lekëve që do të shkojë për indeksimin e pensioneve dhe 3.53 miliardë lekë.
Nga muaji prill, rreth 673 mijë të moshuar do të marrin ca para më tepër në pagesën mujore të pensionit. Qeveria parashikon shpërndarjen e një fondi special në vlerën e 2.2 miliardë lekëve që do të shkojë për indeksimin e pensioneve dhe 3.53 miliardë lekë të tjera për bonusin e fundvitit.
“Kur flasim për indeksimin e pensioneve duhet të kemi parasysh se pensionistët janë të fokusuar te ushqimet dhe pijet joalkoolike. Kjo kategori ka pasur edhe rritjen më të madhe të inflacionit.”
Klajdi Bregu, ekspert për ekonominë
Si rregull, rritja e pensioneve bëhet në raport me normën mesatare të inflacionit të vitit paraardhës që në këtë rast ishte 6.7 për qind. Por ekspertët kërkojnë që indeksimi të kryhet duke marrë në referencë inflacionin tek ushqimet dhe pijet joalkoolike që ishte rreth 12 për qind për 2022-shin.
Nisur nga paralajmërimet se kriza e çmimeve mund të mos e ketë prekur ende kulmin, qeveria miratoi edhe ndryshimin që lejon indeksimin e pensioneve më shumë se një herë brenda një viti.
Sipas programit afatmesëm buxhetor të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, fondet për pagesat e pensioneve pritet të rriten në 3 vitet e ardhme duke kulmuar me 3.8 miliardë lekë në 2026-n.