Në Fier vijon puna për pastrimin e kanaleve kulluese, të cilat në shumë raste kishin kthyer tokat bujqësore përreth në ineficiente, pikërisht për shkak të moskullimit të tyre.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna e përditshme që po bëhet në gjithë këtë bashki për pastrimin e kanaleve kulluese.
“Tokat e qëndisura bukur në fshatin Adriatik në Libofshë të Fierit, dhe puna e përditshme për pastrimin e kanaleve kulluese”, shkruan Rama.
Prej dekadash këto kanale, jo vetëm nuk kanë funksionuar, por për më tepër janë kthyer në problem madhor për të gjithë zonën.
Për këtë arsye hektarë të tërë tokash bujqësore kanë humbur bonitetin e tyre dhe janë kthyer në ineficiente, pikërisht për shkak të moskullimit të tyre dhe përmbytjeve masive e të vazhdueshme nga lumi Vjosë.
Sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatrat e bashkisë së Fierit ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore, po të kemi parasysh se me ndarjen e re territoriale rreth 50 % e gjithë territorit të bashkisë Fier është zonë rurale, pothuajse tërësisht bujqësore dhe me tokë shumë pjellore.