Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në nisjen e punimeve për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “ishte e paimagjinueshme që fëmijët të mos kishin një qendër të denjë artistike dhe kulturore, një teatër të denjë kukullash, por vazhdonin frekuentonin teatrin e vjetër, i cili edhe ai tani i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë dhe një restaurimi bashkë me rikonstruksionin, pasi është monument kulture i mbrojtur”.

“Por jo të gjitha gjërat mund të bëheshin menjëherë, jo të gjitha mundësitë i kemi sa kemi nevojat, megjithatë ja ku i erdhi dita edhe kësaj vepre te re, e cila siç e patë edhe nga prezantimi do të jetë një hapësirë me të gjitha kushtet për fëmijët, por do të jetë një tjetër shenjë e rëndësishme arkitektonike, një tjetër vepër ikonike e transformimit, modernizimit të Shqipërisë, kryeqytetit dhe patjetër të një territori të tërë si ky ku kjo godinë do të jetë një vlerë e shtuar”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “bashkë me Bibliotekën e re Kombëtare që është një tjetër projekt fantastik, siç na duhet të çlirojmë rrugën e zënë nga drejtësia e korruptuar me truallin ashtu na duhet të sigurojmë financimin masiv që ka nevojë, gjë që jam i bindur do të arrijmë ta bëjmë në një kohë të arsyeshme”.

Rama falënderoi gjithashtu ekipin e arkitektëve nga Brukseli.

“I falënderoj për ndjeshmërinë e respektin e posaçëm për këtë territor, për territorin tonë, jo thjesht për këtë këtu, por për çdo vepër që bëjnë”, tha Rama.