Real Madrid, Barcelona dhe Juventus nuk kanë ndërmend të dorëzohen sa i takon projektit të Superligës, edhe pse një gjest i tillë me siguri nuk do t’i pëlqejë aspak zyrtarëve dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Së fundmi, tre klubet kanë propozuar një format të ri sa i takon Superligës duke ndryshuar disa prej rregullave që u kundërshtuan në masë nga shumë klube.
Në rregulloren e re të propozuar nga klubet e sipërpërmendura bie në sy fakti se tashmë numri i pjesëmarrësve do të rritet nga 60 deri në 80 skuadra ndërsa do të ketë divizione të ndryshme. një tjetër ndryshim lidhet me faktin se asnjë skuadër nuk do të konsiderohet themeluese dhe në këtë formë secila prej tyre mund të bie apo ngjitet nga divizioni, ndërsa në lidhje me numrin e ndeshjeve, sipas parashikimit ato nuk shkojnë më shumë se 14 në sezon.
Sakaq, një tjetër i hap i ndërmarrë nga Real, Barça dhe Juventus lidhet me faktin se tashmë presidentët e klubeve kanë nisur kontaktet me homologët e tyre ndërsa deri më tani kanë kontaktuar me më shumë se 50 klube në përpjekje për t’i bindur të bashkohen në Superligën Europiane.