Njëzet e gjashtë fjalë të përfshira në një ligj të vitit 1996 për ligjin e telekomunikacionit, i kanë lejuar kompanitë si Facebook, Twitter dhe Google të kthehen në gjigantët që janë sot. Një çështje që do të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara këtë javë, ‘rasti Gonzalez kundër Google’, e sfidon këtë ligj, kryesisht pjesën që u jep imunitet kompanive të teknologjisë, duke mos i mbajtur përgjegjëse për materialet e postuara në platformat e tyre. Anëtarët e Gjykatës së Lartë do të vendosin nëse familja e një studenti amerikan, të vrarë në një sulm terrorist në Paris, mund të padisë kompaninë Google, e cila është pronare e platformës YouTube, mbi pretendimet se algoritmet e saj, ndihmuan ekstremistët të përhapnin mesazhin e tyre.
Një rast tjetër, ‘Twitter kundër Taamneh,’ gjithashtu përqëndrohet në përgjegjësitë e kompanive të teknologjisë mbi postimet në platformat e tyre, ndonëse kjo çështje bazohet në argumente të ndryshme.
Rezultatet e këtyre rasteve mund të ndryshojnë mënyrën se si funksionon interneti sot. Neni 230 nuk do të mund të rrëzohet me lehtësi. Por nëse kjo ndodh, e drejta e fjalës në internet mund të transformohet në mënyrë drastike.
Nëse një gazetë për shembull, e quan dikë pa të drejtë, mashtrues, personi në në fjalë, mund të padisë botuesin për shpifje. Por nëse dikush e poston atë në Facebook, nuk mund ta padisësh kompaninë Facebook, por vetëm personin që e ka postuar shkrimin. Kjo bazohet në nenin 230 të Ligjit për Komunikimin të vitit 1996, i cili thotë se “asnjë ofrues, ose përdorues, i një shërbimi kompjuterik ndërveprues, nuk mund të konsiderohet si botuesi, ose autori i informacionit të dalë nga një ofrues tjetër informacioni”. Kjo frazë ligjore mbron kompanitë që ofrojnë platformat ku janë botuar triliona mesazhe, nga paditë për gjërat që dikush tjetër i ka postuar, pavarësisht nëse ankesat e tyre janë legjitime apo jo.
Politikanët e të dyja partive kanë argumentuar, për arsye të ndryshme, se Twitter, Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale, kanë abuzuar me këtë mbrojtje dhe duhet të humbasin imunitetin e tyre, ose të paktën duhet ta fitojnë atë duke respektuar rregullat e vendosura nga qeveria.
Neni 230 gjithashtu lejon platformat sociale të monitorojnë shërbimet e tyre, duke hequr postimet që, për shembull, janë të papërshtatshme, ose shkelin standardet e vetë platformave të tyre, për sa kohë që ato veprojnë me “mirëbesim”. Historia e tij daton në vitet 1950, kur pronarët e librarive mbaheshin përgjegjës për shitjen e librave me përmbajtje të “papërshtatshme”, e cila nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila u shpreh se ligji krijonte një “efekt të rëndë negativ”, duke mbajtur dikë përgjegjës për përmbajtjen e dikujt tjetër.
Kjo do të thoshte se paditësit duhej të dëshmonin se pronarët e librarive e dinin se po shisnin libra të papërshtathëm, thotë Jeff Kosseff, autor i librit “Njëzet e gjashtë fjalët që krijuan internetin” mbi nenin 230 të ligjit për komunikimet.
Disa dekada më vonë filloi të ngrihej interneti komercial me shërbimet si “CompuServe” dhe “Prodigy”. Ato ofruan platforma në internet, por “CompuServe” vendosi të mos i monitoronte ato, ndërsa “Prodigy”, në përpjekje për të krijuar një imazh miqësor për familjet, e bëri këtë.
Ndaj kompanisë “CompuServe” u ngrit një padi, e cila u rrëzua. Megjithatë, “Prodigy” filloi të ndeshej me probleme. Gjykatësi në rastin e tyre vendosi se “ata ushtronin kontroll editorial, kështu që i konsideroi më shumë si një gazetë, sesa një stendë gazetash”, thotë zoti Kosseff.
Kjo nuk u pëlqeu shumë politikanëve, të cilët shqetësoheshin se rezultati do të dekurajonte kompanitë e sapoformuara të internetit nga monitorimi i platformave të tyre. Dhe kështu lindi neni 230 i ligjit për komunikimet.
“Sot ai i mbron platformat në internet nga përgjegjësia për postimet e përdoruesve të tyre dhe nga çdo pretendim për monitorimin e përmbajtjes”, thotë zoti Kosseff.
“Gjëja kryesore që bëjmë në internet është komunikimi me njëri-tjetrin. Përmes emailit, mediave sociale dhe platformave të tjera ne flasim me njëri-tjetrin. Dhe shumë nga këto biseda mundësohen nga Neni 230, i cili thotë se kushdo që na lejon të flasim me njëri-tjetrin nuk është përgjegjës për bisedat tona”, thotë Eric Goldman, professor i ligjeve për internetin në Universitetin Santa Clara. “Gjykata e Lartë mund ta ndryshojë, ose eliminojë lehtësisht atë dhe të thotë se njerëzit që na lejojnë të flasim me njëri-tjetrin janë përgjegjës për këto biseda. Përmes një vendimi të tillë ata (anëtarët e Gjykatës së Lartë) nuk do të na lejojnë të flasim më me njëri-tjetrin.” Kemi të bëjmë me dy rezultate të mundshme. Platformat mund të bëhen më të kujdesshme, siç bëri “Craigslist”, pas miratimit në vitin 2018 të një ligji kundër trafikimit seksual, i cili krijoi një përjashtim nga Neni 230 për materialet që “nxisin, ose lehtësojnë prostitucionin”. Platforma “Craigslist” hoqi shpejt seksionin “personale”, i cili nuk kishte për qëllim të lehtësonte prostitucionin. Por kompania nuk donte të rrezikonte.
“Nëse platformat nuk do të kishin imunitet të bazuar në ligj, atëherë ato nuk do të rrezikonin përgjegjësinë ligjore që mund të vinte me lejimin në platformat e tyre të gënjeshtrave, shpifjeve dhe kërcënimeve të (ish-presidentit) Donald Trump”, thotë Kate Ruane, këshilltare legjislative e Unionit Amerikan të Lirive Civile.
Një mundësi tjetër është që Facebook, Twitter, YouTube dhe platforma të tjera, të heqin dorë tërësisht nga kontrollimi i përmbajtes në platformat të tyre.
Shërbime të tilla të pamonitoruara në fund mund të dominohen me lehtësi nga platforma të papërgjegjshme si “8chan”, një faqe famëkeqe për përmbajtjet grafike dhe ekstremiste. Çdo ndryshim i Nenit 230 ka të ngjarë të ketë efekte domino mbi të drejtën e fjalës në internet anembanë globit. “Pjesa tjetër e botës po godet internetin me një ritëm më të shpejt se Shtetet e Bashkuara”, thotë profesor Goldman. “Pra, ne jemi një hap prapa pjesës tjetër të botës për sa i përket censurimit të internetit. Dhe pyetja është, nëse ne mund t’i rezistojmë të vetëm trysnisë për këto ndryshime.”