Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla së bashku me Kryesinë e Grupit kanë zhvilluar sot një takim me ekspertë të Bundestagut gjerman, ku kanë diskutuar mbi rolin e ri që do të ketë Kuvendi në fazën e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe rritjen e transparencës me qytetarët.
“Bashkë me Kryesinë e Grupit Parlamentar Socialist dhe me ekspertët e përzgjedhur nga Fondacioni Friedrich Ebert diskutuam mbi rolin e ri që merr Kuvendi në këtë fazë të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, mbi nevojën e një reforme në mënyrën e organizimit të Kuvendit në komisionet e përhershme dhe në rritjen e transparencës me qytetarët dhe mbi përmirësimin e llogaridhënies dhe kontaktet me zgjedhësit. Dy ekspertët në Bundestagun gjerman, Dr. Sven Vollrath Drejtor i Departamentit për Europën në Parlamentin Gjerman dhe Christoph Thum, këshilltar për Politikat Europiane në Grupin Parlamentar të SPD, do të vijojnë të asistojnë Grupin tonë parlamentar”, është shprehur Balla.