“Gjithçka e boshatisur, nuk sheh askund dritë në dritare”, kështu e përshkruan kameramani nga Prishtina gjendjen në disa qytete në Turqi, pas tërmetit të fuqishëm të së hënës.
Sylejman Kllokoçi tregon se pa ndalur po vazhdojnë kërkimet për të gjetur njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Përveç ekipeve të kërkim-shpëtimit, janë edhe familjarët, të cilët po qëndrojnë pranë ndërtesave. Ata po luten dhe janë me shpresë se të afërmit e tyre do të nxirren nga gërmadhat të gjallë.
Sylejman Kllokoçi nga Associated Press tregon se menjëherë pas tërmetit që mori jetën e mijëra njerëzve, ai me veturë u nis për në Turqi. E gjithë vëmendja është kthyer te ky vend, ku për situatën atje, po raportohet nga e gjithë bota.
“Është interesant këto qytete që jam duke i shikuar se pothuajse janë ndërtim i ri, për shkak se ndërtesat janë përgjithësi diku 14 apo deri në 18 kat. E tash sa janë punuar, inxhinieria sa ka punuar aty apo gabimet se për shkak se tri ndërtesa, njëra në mes është rrëzuar totalisht, kurse dy tjerat anash që janë as muri nuk ka pëlcitur, asgjë nuk ka ndodhur. A është ajo prej valës apo tërmeti që ka përfshirë apo pse kjo ndodhur, sigurisht se këta më vonë duhet ta shqyrtojnë”, tregon ai.
Ndihmat për këtë popull janë të panumërta, siç tregon Kllokoçi për KosovaPress, i vetmi problem mbetet gjetja dhe nxjerrja e trupave.
“Është interesant që rrugës për këtu, kam takuar aq shumë ndihma, njerëz me vetura duke ardhur, kamionë dhe vërtetë janë duke punuar diku 24 orë në ditë. Sidoqoftë tash edhe koha, sidomos edhe sot ka marrë ftohtë dhe mbrëmjet po janë edhe më të ftohta e pak është vështirë. Sa i përket ushqimit edhe rrymës e gjitha këtyre janë prezente dhe ka boll. Është interesant se naftën për shembull nuk ke drejtë më shumë se 25 litra që të marrësh, 25 e ke të kufizuar. Rryma shumë pak u ndal dje dhe vetëm dy herë nga 15 minuta”, rrëfen ai.
Derisa flet për situatën në qytetet më të prekura nga tërmeti, kameramani Sylejman Klokoçi thekson se gjithçka është boshatisur.
“Pamja e parë kur hyn me një qytet që ka 200 mijë banorë apo më shumë, pamja e parë kur i sheh ndërtesat të boshatisura komplet dhe nuk sheh askund dritë në dritare, edhe ata të cilët i kanë shpëtuar tërmetit dhe nuk u ka ndodhur diçka, ata e kanë lënë për shkak të frikës. Do të thotë janë larguar nga vendi. Ka disa tenda, në hotele për shembull nuk mund të gjesh vend për të fjetur në hotel. Mbrëmë unë dhe kolegu im kemi fjetur në veturë, për shkak se nuk ka hotele. Hotelet në përgjithësi janë me refugjatë brenda dhe aq shumë ka edhe gazetarë, aq shumë ka edhe njësia speciale që kanë ardhur nga Evropa. E gjithë bota është prezent momentalisht për t’iu ndihmuar”, tregon Kllokoçi për KosovaPress.
Kllokoqi takon në numër të madh edhe familjarë, të cilët presin që nga ndërtesat e rrënuara të nxirren familjarët e tyre të gjallë.
“Çfarë është më e keqja janë familjarët, të cilët për shembull vijnë e rrijë këtu afër ndërtesave ku janë rrëzuar ato dhe janë rrënuar dhe presin se mos rastësisht dikush prej familjes po del gjallë. Presin 24 orë këtu jashtë këtyre gërmadhave e ndezin edhe zjarre sepse nata është shumë e ftohtë. Por, nuk largohen prej këtu me shpresë që rastësisht po u del. Këtu afër isha duke xhiruar dhe më tha që e ka të humbur vëllain, e ka gruan me vëllain dhe dy fëmijë. Ai ishte ardhur nga Londra edhe po rrinte duke pritur edhe pas ditës së pestë”, përfundon ai.
Nga tërmeti prej 7,8 ballësh në Turqi e Siri kanë humbur jetën më shumë se 28 mijë persona.