Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dëshiron të largohet nga posti i tij këtë vjeshtë. Kështu deklaroi zëdhënësja e tij Oana Lungescu, e cila u shpreh se Stoltenberg pas 9 vitesh në detyrë nuk ka ndërmend të kërkojë zgjatje të mëtejshme të mandatit të tij. Më herët, gazeta gjermane Welt am Sonntag bëri të ditur se mandati i Stoltenberg do të zgjatej sërish pasi aleanca kërkonte të ruante stabilitetin gjatë luftës në Ukrainë.

Ende nuk dihet se kush do ta pasojë Stoltenberg, por sipas po kësaj gazete kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace janë ndër kandidatët kryesorë për postin.

Stoltenberg, një ekonomist dhe një ish-udhëheqës i Partisë Laburiste të Norvegjisë, iu zgjat mandati i tij në NATO vitin e kaluar për shkak të luftës në Ukrainë. Përpara se të merrte këtë post ai ka shërbyer si ministër i Financave, ministër i Energjisë dhe si Kryeministër i Norvegjisë.

Më herët gazeta Politico shkruante se pavarësisht se disa delegacione preferojnë të shohin një fytyrë të re në krye të aleancës ushtarake më të madhe në botë, Stoltenberg ende perceptohet si një zyrtar i rrallë i lartë që mund të ruajë gjakftohtësinë dhe të menaxhojë edhe krizat më të rënda.