Rusia, Kina dhe Afrika e Jugut kanë nisur prej disa ditësh një stërvitje të përbashkët ushtarake, pak ditë nga 1-vjetori i nisjes së luftës në Ukrainë.
Afrika e Jugut ka mbajtur qëndrim neutral ndaj konfliktit, por kritikët thonë se prania e anijeve luftarake ruse në ujërat e saj tregon se vendi është rreshtuar përkrah Rusisë.
“Nisma e përbashkët ushtarake e Kinës, Rusisë dhe Afrikës së Jugut përfshin stërvitje kundër piraterisë, për mbrojtjen ajrore dhe uljen e helikopterëve në anijet e njëri-tjetrit.
Stërvitja do të ndihmojë tre palët të thellojnë besimin reciprok, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, të përmirësojnë kapacitetet për mbrojtjen detare dhe të kontribuojnë më shumë për paqen në botë”, tha Huang Zhongxin, oficer i ushtrisë kineze.
Lojërat ushtarake do të zgjasin për disa ditë në oqeanin Indian. Afrika e Jugut deklaroi se 400 anëtarë të forcave të saj të armatosura po marrin pjesë në këtë stërvitje. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë akuzuar vendin se po përfshihet në një konflikt të gjerë gjeopolitik.