Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese të enjten një rezolutë ku bën thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” sa më shpejt që të jetë e mundur në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.

Me 141 vota pro, 7 kundër dhe 32 abstenime, vendet anëtare mbështetën tekstin e paraqitur nga Ukraina ku theksohej rëndësia e arritjes së paqes. Rezoluta gjithashtu përsërit kërkesën e asamblesë që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe bën thirrje për ndalje të luftimeve”.

“Votimi i sotshëm është një tjetër prove se nuk është vetëm Perëndimi që mbështet Ukrainën; mbështetja është shumë më e gjerë, dhe do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet”.

Sesioni i posaçëm i emergjencës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u çel të mërkurën dhe vazhdoi punimet deri të enjten kur kulmoi me votimin, u thërrit për të shënuar përvjetorin e fillimit të sulmit rus. Ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i qëndrojë në krah vendit të tij.

“Duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë se Karta e OKB-së, përfshirë parimet e barazisë së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve, duhet të shërbejnë si baza për një proces zgjidhjeje paqësore”.

Ambasadori rus, Vassily Nebenzia, u bëri thirrje vendeve të votojnë kundër rezolutës, duke thënë se i mungonte substanca dhe se ishte “e shkëputur me realitetin”. Pak ditë pasi diplomati më i lartë i Kinës vizitoi Moskën dhe u zotua për bashkëpunim më të ngushte, Pekini abstenoi nga votimi, hera e katërt që e bën që prej fillimit të luftës. Ambasadori rus këmbënguli se Moska nuk po pengon paqen, ndërsa në një fjalim të mbajtur më vonë, tha se marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit thuajse nuk ekzistojnë më.