Nga Elisa Spiropali/

E nderuar zonja Kryetare,

Deputeti Sali Berisha ka arritur së fundmi një kulm të patolerueshëm në kapërcimin e çdo kufiri etik, përmes një agresioni vulgar që ka cënuar rëndë jo thjesht dinjitetin e ministreve dhe deputeteve të shumicës, po edhe të vetë Kuvendit të Shqipërisë.

Ky individ i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për minim të demokracisë dhe korrupsion madhor, ka minuar prej kohësh urat e komunikimit publik, duke e korruptuar deri në ekstrem gjuhën me helmet e urrejtjes, shpifjeve dhe fyerjeve më brutale. Ditët e fundit ai e ka përshkallëzuar paturpësinë e tij tradicionale, duke sulmuar me një vrazhdësi të skajshme edhe ambasadorët e këtyre dy vendeve. Ky agresion i kryqëzuar me fantazitë monstruoze të videove kompromentuese ndaj të gjithë të lartpërmendurve, që deputeti Sali Berisha ka thënë publikisht se i ka po nuk do t’i bëjë publike, s’ka asnjë mundësi të lihet të kalojë s’i shumë përdalësi të tjera të gjuhës së këtij shpifësi veteran.

Në Kodin e Sjelljes së deputetit, ndër të tjera, thuhet se deputeti duhet të reflektojë integritet individual dhe institucional dhe të shmangë çdo diskriminim për shkak të gjinisë, bindjeve politike apo çdo natyre tjetër. Ndërkohë deputeti Sali Berisha ka kohë që jo vetëm nuk reflekton asnjë integritet individual dhe institucional apo që jo vetëm nuk shmang asnjë diskriminim për shkak të gjinisë e të bindjeve politike, por ka marrë me përdhunë statusin e dikujt që mund të nxjerrë nga goja çdo lloj ultësie gjuhësore pa u përballur me asnjë konseguencë të asnjë natyre.

Kjo deklaratë bëhet referuar nenit 3 të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili parashikon parimet e përgjithshme të sjelljes së deputetit gjatë ushtrimit të mandatit dhe aplikohet për çdo veprimtari të deputetit kudo në Kuvend e jashtë tij.
Normalizimi i vulgaritetit të këtij “shejtan budallai” të pandëshkueshëm qoftë për krimet ulëritëse të së shkuarës dhe qoftë për ulërimat kriminale të së tashmes, nuk mund të pranohet më prej nesh si një privilegj i pakontestuar, të cilin deputeti Sali Berisha mund ta ushtrojë në praninë tonë në çdo seancë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ai i ka lëshuar krejt frerët dhe ka bërë gjithçka të turpshme për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, duke shantazhuar pa dallim dhe në mënyrën më të padenjë zyrtare, deputete, ministre, ambasadore e mbi të gjitha vetë familjet tona, po ne besojmë se ky individ është kthyer në një ngacmues tejet problematik edhe për çdo familje normale shqiptare. Ne kemi bindjen se deputeti Sali Berisha nuk duhet lejuar të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, nëse nuk bën njërën nga të dyja: Ose të nxjerrë provat që mbështesin shthurjen ekstreme të gjuhës së tij ditët e fundit ose t’u kërkojë falje publikisht subjekteve të dhunës së tij të shfrenuar verbale.

Përsa më sipër, kërkojmë që organet kompetente të Kuvendit të fillojnë menjëherë procedurat për marrrjen e masës disiplinore të përjashtimit të deputetit Sali Berisha nga seancat e Kuvendit të Shqipërisë, me afatin maksimal të lejuar nga rregullorja dhe njoftojmë Kuvendin dhe publikun e gjerë, se këtë kërkesë do ta përsërisim vijimësisht, deri kur ky shkelës recidiv i çdo norme të bashkëjetesës demokratike të ketë plotësuar njërën prej dy kërkesave të mësipërme, për t’u ulur në të njëjtën sallë kuvendore me të poshtëshënuarat.

1. Antoneta Dhima

2. Desantila Tahiraj

3. Hatixhe Konomi

4. Pranvera Resulaj

5. Lindita Buxheli

6. Mirela Pitushi

7. Anila Denaj

8.Elisa Spiropali

9. Ogerta Manasterliu

10. Edona Bilali

11. Teuta Ramaj

12. Olta Xhaçka

13. Klodiana Spahiu

14. Milva Ikonomi

15.Evis Kushi

16. Blerina Gjylameti

17. Tatiana Piro

18. Elva Margariti

19. Mirela Kumbaro

20. Enslemvera Zake

21. Shpresa Marnoj

22. Delina Ibrahimaj

23. Klotilda Bushka

24. Ermonela Valikaj (Felaj)

25. Frida Krifca

26. Bora Muzhaqi

27. Belinda Balluku

28. Etilda Gjonaj

29. Mimi Kodheli

30. Luljeta Bozo

31. Gerta Duraku

*Fjala e mbajtur në Kuvend