Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shtetasve amerikanë të largohen menjëherë nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe rrezikut nga arrestimet arbitrare, ose përndjekjet nga agjencitë ruse të zbatimit të ligjit.
“Shtetasit amerikanë që banojnë, ose kanë udhëtuar në Rusi, duhet të largohen menjëherë”, tha ambasada amerikane në Moskë. “Tregohuni më të kujdesshëm atje për shkak të rrezikut të ndalimeve të padrejta.”
“Mos udhëtoni në Rusi”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht qytetarët e tyre që të largohen nga Rusia. Paralajmërimi i fundit i tillë publik u lëshua në shtator pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm ushtarak. “Shërbimet ruse të sigurisë kanë arrestuar shtetas amerikanë me akuza të rreme, kanë veçuar shtetasit amerikanë në Rusi, duke i ndaluar shpesh ata, u kanë mohuar atyre të drejtën për trajtim të drejtë dhe transparent dhe i kanë dënuar në gjyqe sekrete, ose pa paraqitur prova të besueshme”, tha ambasada.
“Autoritetet ruse zbatojnë në mënyrë arbitrare ligjet lokale kundër punonjësve fetarë, që janë shtetas amerikanë dhe kanë hapur hetime të dyshimta penale kundër shtetasve amerikanë të përfshirë në veprimtari fetare”. Rusia ka hapur një çështje penale kundër një shtetasi amerikan me dyshimin për spiunazh, njoftoi Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në janar.