Një ekip shkencor britanik është një hap më afër krijimit të një trajtimi të ri të kancerit me anë të dritës. Ky trajtim futuristik parashikon administrimin e një ilaçi të veçantë me antitrupa që do të aktivizohen nga drita. Studiuesit në Universitetin e Anglisë Lindore (UEA) kanë krijuar fragmente të antitrupave që luftojnë kancerin që shkrihen me objektivin e tyre dhe aktivizohen nga drita.
Më pas, dritat e vogla LED do të vendosen në lëkurë ose do të implantohen aty ku është tumori. Kështu, antitrupat do të aktivizohen nga drita për të sulmuar qelizat e kancerit. Shkencëtarët besojnë se terapitë specifike të dritës do të jenë më të synuara dhe më efektive sesa trajtimet konvencionale të kancerit.
Si punon
Drejtuesi i kërkimit përkatës dr. Amit Sachdeva, raporton se kërkesa është rritur për trajtime të reja precize të kancerit që nuk kanë efekte anësore. “Trajtimet aktuale të kancerit, si kimioterapia, vrasin qelizat e kancerit, por ato gjithashtu mund të dëmtojnë qelizat e shëndetshme në trup. Pra, ne kemi efekte anësore si rënia e flokëve, të vjella dhe ndjenja e lodhjes, ndërkohë që pacientët përballen me një rrezik më të madh të sëmundjes”, vëren ai.
Duke shpjeguar se si funksionon trajtimi që po zhvillon ekipi i tij, ai tregon se “antitrupat aktivizohen në vendin e tumorit dhe ngjiten në objektivin e tyre duke u aktivizuar nga drita. Ju mund të nxisni antitrupat për të sulmuar qelizat e kancerit me dritë, qoftë në mënyrë direkte në lëkurë, në rastin e kancerit të lëkurës, ose duke përdorur drita të vogla LED që janë të vendosura aty ku tumori është brenda trupit.” “Vetëm qelizat afër tumorit do të aktivizohen, qelizat e tjera nuk do të preken. Kështu, është e mundur të reduktohen efektet anësore për pacientët dhe të përmirësohet koha e veprimit të antitrupave kur janë të pranishëm në trup.”
Studiuesit theksojnë, se ky trajtim do të jetë efektiv për kancerin e lëkurës ose tumoret e ngurta, por jo për kanceret e gjakut si leucemia. Nëse kërkimet e suksesshme vazhdojnë, shkencëtarët besojnë se brezi i ri i trajtimeve të kancerit mund të përdoret te pacientët brenda pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Studimi përkatës, është i financuar nga Këshilli Kërkimor i Bioteknologjisë dhe Shkencave Biologjike të Mbretërisë së Bashkuar dhe Wellcome Trust, ky projekt është publikuar në Nature Chemical Biology.