Nurie Emrullai është shkrimtarja e re nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, që mori këtë vit Çmimin Letrar Kadare për vitin 2023. – “Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë” – tha kryetarja e jurisë, shkrimtarja Natasha Lako. Emrullai konkurroi me romanin “Duhet të jetë dashuria” dhe ishte fituese mes 27 dorëshkrimeve në prozë nga 27 autorë të këtij edicioni, të vitit 2023, që përkoi me edicionin e nëntë të këtij çmimi, themeluar në vitin 2014.
Motivacioni i veprës fituese të këtij çmimi, sipas votimit unanim të jurisë, është si më poshtë: Dorëshkrimi i romanit “Duhet të jetë dashuria” i shkrimtares Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dalloi për gjetjet stilistikore dhe talentin, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale.
Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision ‘inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe. Tashmë ky çmim ka një gjeografi dhe listë impresionuese, duke filluar nga shkrimtarë që jetojnë dhe krijojnë në emigracion si Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku, shkrimtarët nga Kosova si Musa Ramadani dhe Gani Mehmetaj, apo shkrimtarë të rinj si Loer Kume nga Durrësi sikurse shkrimtarja e parë grua që e fitoi këtë çmim vitin e kaluar 2022, Vera Bekteshi.
Gjeografia e çmimit plotësohet edhe me krijuesit nga Maqedonia e Veriut, ku jeton dhe krijon Nurie Emrullai. Lauretja e këtij viti është shkrimtare e re, e cila ka botuar disa libra ku spikatin librat me poezi botuar në shtëpinë botuese “Onufri”.
Dy vëllimet e saj me poezi “Vargmale nën dhe”, si dhe “Në orën moderne të perëndive” spikatin dhe romani që tashmë fitoi Çmimin “Kadare” e kompleton profilin letrar të autores. Nurie Emrullai është aktualisht asistent lektore në universitetin e Tetovës dhe doktorante për Letërsi, në universitetin e Shkupit.