Nga Hasan Bello/
Vendosja e regjimit komunist në vitin 1945 u shoqërua me një ristrukturim tërësor të sistemit të drejtësisë, legjislacionit dhe organizimit të gjykatave. Miratimi i Kushtetutës në vitin 1946 përcaktoi orientimin e politikës penale. Ajo theksoi kompetencat e gjykatave dhe të prokurorisë ushtarake.
Në qershor 1951 regjimi komunist e ndryshoi përsëri ligjin për organizimin gjyqësor, ku theksohej se drejtësia në Republikën Popullore të Shqipërisë jepej nga Gjykata e Lartë, gjykatat popullore dhe gjykatat ushtarake. Ndryshe nga ligjet e mëparshme u theksua fryma klasore dhe politike në funksion të konsolidimit të regjimit dhe eliminimit të kundështarëve politikë. Ashpërsimi i legjislacionit dhe i sistemit të drejtësisë e ktheu atë në instrument të diktaturës. Në hallkat kryesore u emëruan individë që konsideroheshin besnikë të regjimit.
Më 6 shtator 1966, për të rritur kontrollin mbi organet e drejtësisë, në mbledhjen e Byrosë Politike u vendos të suprimohej Ministria e Drejtësisë. Kjo reformë frymëzohej nga motive politike. Në këtë mbledhje, Enver Hoxha shpalosi haptazi mendimin për të rritur kontrollin në sistemin e drejtësisë. Një politikë e tillë binte ndesh edhe me vetë ligjet e miratuara nga regjimi komunist. Në Kushtetutë dhe në ligjin për funksionimin dhe organizimin e drejtësisë, gjykatat konsideroheshin si organe të pavarura. Kjo mbledhje ishte parapregatitur shumë më përpara dhe ishte diskutuar dhe nga ekspertë, të cilët kishin sjellë mendimin e tyre konformë orientimit që ishte imponuar nga lart.
Ky akt ishte i paprecedentë në historinë politike të shtetit shqiptar. Ministria e Drejtësisë kishte ekzistuar edhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur vendi ishte i pushtuar nga Italia dhe Gjermania. Por absurditeti i kësaj reforme qëndron në faktin se suprimimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk kishte ndodhur në asnjë shtet komunist. Ai shënoi të parin eksperiment me pasoja të dhimbshme për shoqërinë shqiptare.
Me suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë, kompetencat e saj i kaluan Gjykatës së Lartë. Kjo krijoi një mbivendosje të pushtetit ekzekutiv mbi pushtetin gjyqësorë, duke i dhënë përparësi udhëheqjes politike. Ky veprim i dha një goditje të rëndë institucionit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individit.
Në të njëjtën linjë me suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë ishte edhe eleminimi i të drejtës për mbrojtje ligjore (avokatisë). Me dekret nr.4277 datë 20 qershor 1967 institucioni i avokatisë u shkri me ligj duke u zëvendesuar nga zyrat e ndihmës juridike që vareshin nga Gjykata e Lartë dhe operonin pranë çdo gjykate rrethi.
Kjo është trashëgimia historike e drejtësisë shqiptare dhe një nga arsyet përse ajo lëngon dhe sot pas 30 vjetësh që ka rënë komunizmi.