I ftuar në studion e ABC News ka qenë gazetari Skënder Minxhozi, i cili si fillim komentoi situatën e Partisë Demokratike në lidhje me emrat e dorëzuar në KQZ. Sipas tij deklarata e kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi ka qenë korrekte pasi kjo është një çështje që ka të bëjë me ligjin elektoral.
“Së pari dua t’ju kujtoj që kjo është një çështje që ka të bëjë me ligjin elektoral. Ai kërkon që mos të shkelen afatet. Kjo më tej është edhe një çështje ligjore, çështje që ka vajtur në gjykatë, ku vetë PD-të kanë rol, por ata presin përgjigje nga gjykata, për logon, pra të drejtën e përfaqësimit.
Këtu drejtësia shqiptare ashtu si edhe në shumë çështje të tjera, është e avashtë, por edhe shkakton probleme në lidhje me zgjidhjen e problemeve. Gjykata kishte kohë të jepte vendimin. Unë jam shprehur që PD duhet ti takojë formalisht Berishës, pasi ka shumicën, për fat të keq. Berisha nuk është e tashmja, është e shkuara. Për nëse një pjesë e madhe e PD kërkon që Berisha i udhëheqë, le të jetë.
Dhe e treta, kjo çështje gare mes dy palësh që po prish përfaqësimin është një çështje e madhe politike, këtu humbësi i madh është vetë Berisha. Ai ka humbur sfidën e madhe për të bashkuar demokratët. Ajo që bëri Berisha në 2005, nuk e pamë të ndodhte vitin e kaluar. Kjo çështje ka mbetur e ngrirë që nga 8 janari. Ky është problemi numër 1, para se Berisha të përballet me Ramën. Nëse Alibeaj del me kandidatë të veçuar do t’i prishte punë shumë PD-së.,” tha fillimisht Minxhozi. Në lidhje me deklaratës së Ivi Kasos, i cili shpreh se nëse KQZ nuk pranon emrat do të shkohet drejt ankimit, Minxhozi tha se ky problem duhet të ishte zgjidhur mes shtëpisë, por sipas tij nuk ka vullnet.
Sa i përket mundësisë që të përsëritet 6 marsi, gazetari shtoi se kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhe pasi ai ishte një rast atipik. “Unë e thash që kishte një metode, ta zgjidhim mes shtëpisë tonë, kohë ka, vullnet nuk ka. Sipas asaj që po deklarohen palët, ka një gjuhë urrejtje, një hendek shumë të thellë, saqë unë e shoh vetëm teorike mundësinë e një bashkimi. 6 marsi ishte atipik. Ishin disa bashki të mbetura. Ishte një bankoprovë. Një rast atipik nuk mund të bëhet normalitet. Nuk ka sens që një parti si PD të futet nën umbrellëm e PL. Është jo produktive, që të përdoret kjo zgjidhje e minutës së fundit, kur ty si opozitë të duhen të gjitha votat e mundshme dhe jalla t’ia dalësh ndaj qeverisë, e jo më të futesh në këtë mënyrë. Këto kanë qenë problematikat e vitit 2022, dhe ishin normale. Problem i madh perceptimi, që në pyllin e siglave mund të krijojnë shumë problem,” shtoi gazetari.