Analisti Skënder Minxhozi e cilësoi “protestë me qira” atë që sot ka thirrur opozita në orën 12:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

I ftuar në Abc News, Minxhozi tha se kur një parti e ndjen nevojën që të marrë njerëz me autobusë nga Tropoja për t’i sjellë në Tiranë, kjo në optikën e tij nuk është protestë që bëhet nga njerëzit, por nga militantët partiakë.

“Ajo që dëgjoj, është më e madhe se ajo që shikoj. Është premtuar në çdo lloj proteste për numra masivë dhe më lejo që të të kujtoj se nëse ti si panel partish, ndjen nevojën që të sjellësh protestuese nga Tropoja me autobusë dhe t’i sjellësh në Tiranë, kjo nuk është protestë. Protestë me qira. Protesta është më militantë, jo me popull”, tha ai.

Ai theksoi se në vend ka shumë arsye për të protestuar, por jo për çështjen e “McGonigal”

“Kauzat personale janë kauza të dobëta. Ka shumë arsye për të protestuar në këtë vend, por çështja e MCGonigal, që Rama nuk është i pandehur dhe është një fabul e komplikuar dhe shqiptari i mesëm humbet me lehtësi dhe kjo është një akuzë që po synohet të krijohet një balancë mes liderëve, se Berisha po mundet të tregojë se siç kam unë një problem me SHBA të pakthyeshëm, ashtu edhe Rama me amerikanët. Opozita sot pas dhjetë vitesh ka akumuluar një listë çështjesh, nuk është e vendit që të ngrihet një qytetar nga Saranda për një gjyq që ka nisur në Amerikë. Duhet pritur, por ne nuk dimë të presim”, tha ai.