Nga:Skënder Minxhozi
Skandali (sipas standartit që Berisha konsideron të tillë) ishte aty. Paret nën dorë për spiunin amerikan gjithashtu ishin aty. Shkrime, akuza, hamendësime e skema nga më të ngatërruarat që PD dhe media rreth asaj i ka mbllaçitur prej një jave, ishin gjithashtu aty. Gjithçka dhe gjithkush ishin aty në 11 shkurt në bulevardin qëndror të Tiranës…përveç njerëzve! Sikur të kishin një inat të heshtur me Doktorin ata ja kishin mbathur në këtë të fundjavë me diell. Autobusa, makina private, degë partish me lista militantësh nuk ndihmuan dot që protesta të shpëtonte faqen e vet dhe të Sali Berishës e Ilir Metës.
Revolucioni lindi i vdekur! Nisi si revolucion, përfundoi si procesion.Ajo që pamë ishte një lloj shëtitje në grup në të gjitha adresat që Berisha ka inat në qytetin e Tiranës. Por protestë nuk qe. Pasi ta quash të tillë do të thotë që të fyesh fjalorin e gjuhës shqipe. Me grumbullime si ky i 11 shkurtit Luli dhe Monika dikur bënin nxemjen. Me të drejtë një demokrat i vjetër tha se nuk qe revolucion, por instalacion.Nga ironia e sarkazma, tek analiza serioze, duhet thënë se opozita shqiptare nuk kishte nevojë për këtë demostrim flagrant dobësie në mes të dimrit. Të atij dimri që është historikisht i vështirë për qeveritë në këtë vend, pa harruar krizën e çmimeve, skandalet me ish-ministra dhe vetë historinë e McConighan, e cila ka bërë të tërhiqet në heshtje edhe vetë atë që me heshtjen s’ka asnjë lidhje: Edi Ramën!E megjithatë opozita u braktis nga zgjedhësit dhe simpatizantët e saj. Nuk binte as shi, nuk kishte as bajoneta gardistësh në dyert e Kryeministrisë. Qe një braktisje e heshtur por edhe zhurmshme njëherësh.
Nëse duhej një tjetër provë publike e pafuqisë së Berishës dhe Metës për ta kthyer marazin ndaj qeverisë në karburant për opozitën, ja ku e keni: data është 11 shkurt, vendi është Bulevardi Dëshmorëte e Kombit.Protesta modeste e opozitës nënvizoi edhe një herë se opozitës i mungon fryma dhe besimi i njerëzve. I mungon një platformë, por edhe fytyrat e besueshme që ta avancojnë atë. Fjalimi në tre oktava më sipër i Berishës nuk ndihmon më. Është një sharm që po shuhet bashkë me perëndimin e karrierës së njeriut që mbushte dikur sheshet me piskamën e tij, ndërkohë që Ilir Meta me fjalimet e tipit ushtarak është edhe më pak i besueshëm për ata që kanë sy e veshë, e mbi të gjitha tru që të kujtojnë.
Nëse do të kishin mundur ta kthenin kohën pas, dy senatorët e opozitës me siguri do ta kishin zhdukur nga memoria publike këtë që ndodhi sot. Aq më tepër që një dobësi e tillë flagrante në mbështetje popullore, kërcet dhe prish punë kur në horizont ke një gjyq për stemën e partisë dhe dy hetime delikate si ai i Gërdecit dhe eventualisht i 21 janarit. Mbi të gjitha, kur ke edhe një palë zgjedhje në maj, të cilat sot dukeshin më të largëta e iluzive se kurrë më parë.Sali Berisha nuk e kaloi provën McConighan, që do të thotë se nuk ja doli të krijojë “siamezin” e vet problematik në raport me Amerikën, rol për të cilin kishte piketuar Edi Ramën.Shqiptarët folën me mungesë, më shume sesa ata që ndoqën të mërzitur oratorët e mitingut, duke e ditur paraprakisht se gjithçka do të mbyllej brenda një ore dhe më pas do të niste rruga e kthimit në shtëpi. Me autobus të paguar, siç ndodh sa herë që në Tiranë shefat duan të ngrefosen e të tregojnë muskujt. Të cilët kësaj rradhe ishin të qullët e anemikë.