Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijon të dominojë në të gjitha sondazhet në lidhje me garën për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 Majit.

Kjo del edhe në sondazhin e publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Top Story” në Report Tv nga Eduard Zaloshnja.

Ajo që bie në sy është se Veliaj dominon me më shumë se gjysmën e votave, konkretisht 54.3% me një numër prej 169 mijë votuesish.

Nga ana tjetër kandidati zyrtar i PD, Belind Këlliçi duket se ka pësuar rënie në sondazh në raport me një tjetër kandidat të mundshëm për bashkinë e Tiranës, Dashamir Shehin.

Sipas sondazhit, Këlliçi gëzon mbështetjen e më pak se ¼ e kryeqytetasve, 23.2% që përkthehet përafërsisht në 72 mijë votues.

Por deri në 14 Maj, Këlliçi rrezikon edhe një disfatë të mundshme përballë kandidatit të mundshëm për Tiranën Dashamir Shehin.

Ky i fundit edhe pse ka vetëm pak ditë që ka zyrtarizuar koalicionin për të kandiduar pa Partinë Demokratike në zgjedhje, ka arritur të sigurojë një mbështetje prej 22.5% të votuesve të Tiranës, vetëm 2 mijë vota më pak se Këlliçi.