Nga Martin Leka/
Që kur dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, kemi dëgjuar shumë për Lulzim Bashën dhe pothuaj fare pak ose aspak nga Lulzim Basha.
Fillojmë me të parën.
Askujt nuk i shkonte ndërmend se për Lulzim Bashën do të dëgjoheshin ndonjëherë akuza e kritika, nga më të thjeshtat, gjer tek më monstruozet nga goja e Sali Berishës, njeriut që e mbështeti dhe de facto i dha postin që la vetë në partinë e vet. Në vazhdim e përkujdesje të “melodisë” së dirigjentit të partisë, me po të njëjtën gjuhë e deri në shthurje, shpura e Foltores, aktivistë e simpatizantë e zëdhënës e përkrahës të doktorit të PD, vazhdimisht kanë sulmuar e sulmojnë ende ish-kryetarin e PD, Basha, duke marrë përmasat e një linçimi publik.
Besoj janë të njohura për publikun akuza të tilla ndaj Bashës si ato me “dosjen Muzin”, “Toyota Yaris”, “shitjen e Zgjedhjeve”, “dorëzimin e mandateve të deputetëve”, “bojkotin e zgjedhjeve lokale”, etj. etj, a thua se gjithë të zezat në PD i kishte bërë Lulzim Basha. Akuza që as vetë kundërshtari politik i Partisë Demokratike nuk i kishte bërë gjer në këtë shkallë. E kam fjalën për Ramën, i cili duhet ta ketë “zili” Foltoren e kreun e saj për akuzat që i bëhen krahasuar me ato ndaj Bashës…
Për tu vënë kapak këtyre akuzave, vetë Berisha u “kujdes” ta “këshillonte” Bashën të mos paraqitej në protestën e organizuar më 7 ora 7 të muajit të 7 dhe ky ishte një inkurajim i pastër për falangat në rast të dukjes së Bashës në protestë (protesta e 7 Korrikut). Ndoshta ishte dhe një kërcënim i pastër! Mos o zot, por do ta kishim “zili” djalin që grushtoi Berishën në bulevard, krahasuar me atë që mund ti bëhej Bashës pas deklaratave të Berishës. Sepse lideri frymëzon, për mirë a keq qoftë. Ka ndodhur në plot raste të tjera kur individë, grupe apo turma janë aktivizuar e frymëzuar si të ishin pult komandimi për prapësira e incidente të rënda këto 30 vite.
I dinë të gjithë. I dinë (po nuk kanë gojë të flasin) dhe muret e bodrumeve apo tualeteve të Pallatit të Kongreseve për grushtet që kanë ngrënë kundërshtarët e Berishës kur zhvilloheshin mbledhjet e forumeve. Kundërshtoni po deshët në këtë që sapo thashë. Dakort. Edhe unë e pranoj dhe nuk di që Sali Berisha të ketë rrahur vetë njeri, madje dikur, kur u fol se i ka futur një shpullë Tritan Shehut kur ishte ca kohë Kryetar i PD, nuk e kam besuar dhe nuk e besoj.
Por lideri frymëzon, për mirë apo keq. E njeh historia dhe praktika këtë fenomen. A nuk i frymëzoi Trump, ish-presidenti amerikan turmat që mësynë Kongresin e SHBA?! Nuk u tha turmave “ikni pushtoni Kapitolin”, por i frymëzoi, i nxiti të shkonin të bënin pikërisht atë që bënë. Ata që frymëzojnë të keqen, dhunën, ata janë njësoj fajtorë me ata që e kryejnë atë. U zgjata pak sa për të treguar se Berisha ka shkuar kaq larg me Bashën, sa duket tepër e vështirë edhe të negociohet një bashkëpunim mes tyre, jo më të bëhet realitet.