Kandidati i Berishës për zgjedhjet vendore të 14 majit, Luçiano Boçi u shfaq sot në krah të Ilir Metës në një takim me strukturat vendore të Partisë të Lirisë në Elbasan.
E teksa sot janë në të njëjtën llogore, jo shumë kohë më parë, Boçi dhe Meta akuzonin njëri-tjetrin për afera korruptive dhe madje dhe për tentativa vrasje.
I caktuar nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha si njeriu që do të publikonte skandalet e korrupsionit të Ilir Metës, në vitin 2015, Luçiano Boçi do të dilte pothuajse çdo ditë në konferencë për mediat duke kërkuar në emër të opozitës dorëheqjen e Ilir Metës si Kryetar Kuvendi dhe nisje e hetimeve nga Prokuroria.
Jo më larg se 8 vite më parë, Luçiano Boçi që u shfaq sot në Elbasan krah Ilir Metës dhe disa figurave të LSI-së(tashmë Partia e Lirisë) kërkonte dorëheqjen e Metës pas denoncimeve se kreu i LSI-së kishte kërkuar vrasjen e Tom Doshit. “Sot te gjithë shqiptaret shohin qe varfëria dhe mjerimi është ulur këmbëkryq. Këta janë ulur këmbëkryq dhe bëjnë hesape makabre me jetë njerëzish. Kjo qeverisje kriminale i ka ofruar shqiptareve këtë mënyrë qeverisje që duhet realizuar. Këtë protestë do ta vazhdojmë se duam që Ilir Meta të dorëzohet para drejtësisë si gjithë qytetaret. Ne nuk mund të pranojmë një demokraci pa moral dhe dinjitet. Nuk duam tu japim fëmijëve tanë një të ardhme të mbushur me krim.”, do të shprehej Boçi.
Gjashtë muaj më pas, Luçiano Boçi do të dilte sërish në rrugë duke protestuar para parlamentit për të kërkuar dorëheqjene Ilir Metës dhe arrestimin e tij për një tjetër aferë korruptive, sikurse ajo CEZ-DIA. Boçi, sot aleat me Ilir Metën, do të zbërthente dhe skandalin e korrupsionit me CEZ ku i përfshirë ishte direkt Ilir Meta.
Në dëshminë e plotë të ish-drejtorit të CEZ, Hajsek, i cili u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailajt, iu imponua kompanisë çeke, nga Ilir Meta. Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me kryetarin e parlamentit. Ryshfeti me miliona euro, për të cilin akuzohet Ilir Meta, shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë.
Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë. Pikërisht për këto afera skandaloze, qeveria e kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in. Nga ana tjetër, Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ, por ata me një akt mafioz e të kundraligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj. Ndërsa, Petrit Ahmeti, i identifikuar nga Hajsek si negociatori për kontratën e Kastriot Ismailajt ka rilindur dhe sot është kreu i ERE, me propozim të Ilir Metës.
Në konferencën për shtyp të dhënë aso kohe (Shiko Linkun https://www.youtube.com/watch?v=KbPcHwJytS4 )Luçiano Boçi deklaronte se
Ilir Meta rezulton drejtpërdrejt i përfshirë në këtë skemë korrupsioni me miliona euro, si lobues që kompania DIA e mikut të tij Ismailaj, të përfitonte shumat e mëdha nga kompania CEZ. “Paratë që përfitoi me mashtrim Kastriot Ismailaj u përdorën për ryshfete ku përfitoi ish-kryeministri Ilir Meta. Këto janë faktet e dala në publik. Ilir Meta është nën akuzë për marrje ryshfeti. Ai duhet të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë pa vonesë hetimin”, do të shprehej në shtator 2015 Luçiano Boçi.
Pyetja që shtrohet për kandidatin e Berishës është se cilin Luçiano të besojmë, atë në krah të Bashës që kërkonte dorëheqjen e Metës duke e akuzuar si vrasës dhe të korruptuar, apo Luçianon e Berishës duke dalë me Metën sëbashku në Elbasan. Së paku qytetarët e Elbasanit meritojnë një ndjesë për këtë fyerje dhe tallje ndaj tyre.
Ndryshe nga ajo çka përfaqësojnë elbasanllinjtë si njerëz të qetë e punëtorë, Luçiano Boçi po i bën dëmin më të madh qytetit duke i vënë damkën si një qytet i inkriminuar.
Qytetarët kanë nevojë për qetësi, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe jo sulme denigruese e fyese për gjithë qytetarët. Elbasani ka nevojë për vizitorë, jo për politikanë që i trembin jo vetëm vizitorët por dhe vetë banorët e elbasanit duke i stigmatizuar.