Që nga nisja e sulmit rus në Ukrainë më 24 Shkurt 2022, të shumtë janë ukrainasit që janë detyruar të braktisin atdheun e tyre.
Alyona dhe Dasha janë 2 shtetase ukrainase që janë strehuar në Shqipëri. Për Klan News, Alyona shprehet se pas peripecive që kaloi nga lufta tashmë ndihet e sigurt me gjithë vajzën e saj këtu.
Alyona Shalenko: Ne jetojmë në Shqipëri, pasi disa shqiptarë na ftuan të vijmë këtu për shkak të luftës në atdheun tonë në Ukrainë. Tashmë këtu ndihemi më të sigurta. Është e rëndësishme të dimë se që prej nisjes së luftës të gjithë djemtë dhe burrat mbi 18 vjeç nuk mund të dilnin jashtë Ukrainës për shkak se duhet të luftojnë atje kundër armikut. Këtu kemi ardhur vetëm gra, vajza, fëmijë dhe të moshuar, por dhe persona që janë të sëmurë.
Ndërsa Dasha është një tjetër ukrainase që jeton në Shqipëri e cila rrëfen tmerrin që ka kaluar nga sulmet ruse.
Dasha Titomir: Unë jam këtu në Shqipëri prej 1 muaji. Ndihemi të sigurta këtu në vendin tuaj dhe është gjë e mirë për vajzën time dhe mua. 10 muajt e parë të luftës ne ishim në Ukrainë dhe ishte situatë e tmerrshme. Ne strehoheshim nëpër metro apo vendstrehimet nëntokësore, raketat bombardonin çdo ditë qytetin tonë dhe ishte shumë e vështirë.
Edhe pse ka kaluar 1 vit nga nisja e luftës në Ukrainë Alyona ka një mesazh dhe beson në fitoren e popullit Ukrainas.
Alyona Shalenko: Mesazhi im për ukrainasit është që të qëndrojmë të fortë dhe të fitojmë. Kam besim në fitoren e luftës. Ne kemi nevoje si komb për më shumë ndihma në armë, sepse është e kuptueshme se pa këto është e vështirë ta fitojmë luftën.
Dasha Titomir: Prindërit e mi janë sërish në Ukrainë, por dhe zemra ime është është gjithashtu atje.
Rreth 2,500 shtetas ukrainas janë strehuar në Shqipëri prej rreth 1 viti dhe shumica janë fëmijë dhe gra.