Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se mocioni me debat që do të mbahet ditën e enjte do të ketë në dispozicion 24 orë në mënyrë që të gjithë deputetët të kenë mundësi të shprehen. Ai tha mes të tjerash se grupi parlamentar socialist mezi po e pret mbajtjen e mocionit për të thënë disa të vërteta para shqiptarëve.

“Të gjtiha grupet parlamentare duhet të kuptojnë se foltorja në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të merret peng. Çdo deputet mund ta përdorë për të thënë mendimet e tij. Në këtë këndvështrim, për seancën e ardhshme, ditën e enjte kemi përcaktuar mbajtjen e mocionit me debat dhe besoj që të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten më së miri për këtë debat. Ne po bëjmë përgatitjet tona për të shfrytëzuar këtë moment për të ndarë me opinionin publik çështje që kanë rëndësi për qytetarët.

Të mos gjendemi me kërkesa të tjera që mund të pengojnë mbajtjen e këtij mocioni me debat. Çdo deputet do ketë 10 minuta në dispozicion që është koha maksimale. Kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave. Mendoj se 24 orë janë të mjaftueshme. Duhet t’ju them se grupi ynë parlamentar mezi po e pret mocionin me debat për të diskutuar disa të vërteta me rëndësi për shqiptarët”-tha Balla.