Teksa vendi po përballet me temperatura të ulëta, strukturat e Bashkisë së Tiranës janë në gatishmëri për t’u siguruar një ambient të ngrohtë dhe ushqim për të gjithë personat e pastrehë në qendrën sociale “Strehëza”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Eduard Shalsi, vizituan mbrëmjen e djeshme personat e sistemuar në këtë qendër pritëse dhe po marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Pas vizitës në qendrën “Strehëza”, Veliaj bëri thirrje që këto ditë të ftohta dimri të bëjmë veçanërisht më shumë kujdes për këdo që ka nevojë për përkujdesje. Ai ftoi të gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të strehohen, t’i drejtohen kësaj qendre për të marrë një shërbim të specializuar.
“Kemi një qendër me të gjitha kushtet për të kaluar netët e ftohta, sidomos për ata që janë në situatë rruge, që mund të jenë edhe nga një qytet tjetër dhe i ka kapur nata në Tiranë. Edhe pse Tirana e ka dimrin shumë të shkurtër, ne duam që këtu të trajtojmë me dinjitetin maksimal njerëzor çdo njeri. Të gjithë kemi dëgjuar histori njerëzore. Fati i hedh dhe i pret njerëzit aty ku nuk të shkon imagjinata njerëzore. Secili mund të ketë pasur dramat dhe problematikat e veta. Ne kemi këtu edhe një psikolog dhe asistencë sociale. Por, mbi të gjitha, duam që në këto netë të vështira të jemi këtu me një strehë, krevat, batanije dhe ushqim të ngrohtë. Duam të sigurohemi që asnjë në qytetin e Tiranës, që sigurisht ka një milion vetë dhe një milion problematika, por ka gjithashtu edhe një milion zemra që ofrojnë solidaritet dhe askush të mos ndihet vetëm,” u shpreh Veliaj. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që mund të hasin njerëz në vështirësi për të sinjalizuar institucionet dhe të telefonojnë në numrin e emergjencës.
“Thirrja për të gjithë qytetarët është: Nëse pikasni dikë që është në situatë rruge, telefononi 112-ën, ose Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, apo Ambulancën, që më pas t’i sjellim në qendrën tonë. Ne sigurohemi që, ata të cilët strehohen këtu kanë të gjitha kushtet e higjienës, ushqimin dhe pasi të kalojë kjo valë e të ftohtit, secili mund të kthehet në vendin e tij të origjinës. Nëse i kap nata në Tiranë dhe nëse për një arsye apo një tjetër janë në situatë rruge, duam që në këtë strehë – që bën një punë të shkëlqyer këtu gjatë gjithë vitit, jo vetëm në këto momente të vështira – ta gjejnë një derë të hapur, një zemër të hapur, një krevat të shtruar dhe një vakt të ngrohtë,” u shpreh ai.
Veliaj tha se qendra “Strehëza” në Njësinë Administrative 1 në Tiranë trajton rastet më specifike të njerëzve, që kanë nevojë për më shumë përkujdes. Gjithashtu, në kryeqytet janë hapur për strehim edhe të gjitha qendrat e tjera sociale për t’u ardhur në ndihmë të kujtdo që ka nevojë.
“Ne i kemi hapur të gjitha qendrat sociale të Tiranës gjatë kësaj jave, për të akomoduar ata që janë në situatë rruge. Por, në mënyrë specifike, qendra “Strehëza” këtu në Shkozë është për të trajtuar ato raste që kanë nevojë për një ose më shumë ditë për të pasur një hapësirë të tillë. Dua të ftoj të gjithë qytetarët, nuk na duhen fotografime dhe postime të njerëzve në nevojë, na duhet një telefonatë që këta njerëz t’i ndihmojmë. Duhet të jemi gjithmonë duke menduar cila është gjëja më e mirë për të ndihmuar personin dhe jo për të prodhuar sensacionin e radhës. Ndaj ju lutem bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim. Në momentin që ne sinjalizohemi, veprojmë menjëherë,” përfundoi Veliaj. Deputeti i PS, Eduard Shalsi tha se çdokush është i mirëpritur për të kontribuuar për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
“Përpos njoftimeve për individë që mund të pikasin, ne ftojmë edhe qytetarët e Tiranës që në një mënyrë, apo në një tjetër, duan të kontribuojnë për të mbështetur këtë shtresë në nevojë, që të njëjtin numër telefoni mund ta përdorin për të ofruar ndihmën e tyre sado simbolike, cilado qoftë. Është një ndihmë për njerëz për të cilët ne nuk mund të ndihemi mirë nëse do t’i braktisnim. Thirrja është që janë më shumë se të mirëpritur edhe për të kontribuar,” deklaroi Shalsi. Qendra “Strehëza” në Shkozë është ngritur në vitin 2018 dhe prej kësaj kohe funksionon si qendër ditore për strehimin e personave që nuk kanë një vend për të fjetur dhe u sigurohet mbështetje me fjetje, ushqim dhe trajtim psiko-social.