Një 31-vjeçar është vënë në hetim nga policia e Gjirokastrës pasi ka tentuar që të korruptojë punonjësin e policisë kufitare në Kakavijë. Sipas policisë në dalje të Shqipërisë, shtetasit A.XH i është kërkuar pasaporta, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit.

31-vjeçari A. Xh. e ka dorëzuar pasaportën me një kartëmonedhë 50 euro në brendësi të saj, me qëllim korruptimin e punonjësit të Policisë Kufitare, për ta lejuar këtë shtetas të kalojë kufirin, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit të ligjshëm në zonën Schengen.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 31 vjeç, banues në fshatin Gali, Berat, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.