Drejtori i Institutit të Gjeoshkencës, Prof. Dr. Ylber Muçeku, ka folur për tërmetin shkatërrues në Turqi me mbi 500 viktima. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka thënë se ky tërmet ishte me të vërtetë i fortë.
Sipas Muçekut, ky tërmet në Turqi nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe se çfarë mund të ndodhë këtu. Ai ka theksuar se ndërtesat në vendin tonë kanë gjeometrinë e ndërtimit strukturor dhe tektonik të përballueshme për një forcë të tillë.
“Dihet se nuk bëhet një parashikim ekzakt, por duke njohur dhe zona, njohim gjeometrinë e ndërtimit strukturor e tektonik, dhe nga historia dimë se sa është akumulimi në këtë zonë. Në një farë mënyre dimë se kur pak a shumë pritet të bien tërmete të fortë, mbi 6 rihter. Ky me të vërtetë është një tërmet i fortë.
E rëndësishme është për ne të parashikojmë dhe të planifikojmë që të përballojmë këto lloj goditjesh me ndërtimet tona cilësore. Për mua tërmeti nuk diskutohet është i frikshëm, por është i përballueshëm. Ne e gjithë zona jonë, edhe Turqia, jetojnë në një zonë aktive dhe me këtë rast ne bashkëjetojmë me tërmetet.
Shqipëria që pas tërmetit në 1967 në Dibër dhe pas tërmetit në Shkodër të 1979, Shqipëria ka bërë projekte cilësore në atë kohë. Por edhe kishte një shfrenim me ndërtimet pas viteve 1990, por pas 2000 ndërtimet kanë qenë cilësore.
Do të thoni ju pse u dëmtuan shumë godina në Durrës, apo në zonën e Fushë Krujës, unë di të them që nga godinat nuk ka pasur vdekje, por vdekjet lidhen me ndërtesat nga koha e monizmit. Objektet te ne janë cilësore. Nuk ka lidhje tërmeti në Turqi me Shqipërinë dhe çfarë mund të ndodh këtu”, u shpreh Muçeku.