Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile me 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim për të mbijetuarit e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin këtë të hënë. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa përcolli ekipin tha se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
ADVERTISING
“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falenderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh Peleshi. Pjesë e ceremonisë ishin edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral brigade Arben Kingji, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako si dhe komandantë forcash të FA.