Tashmë, një javë pas katastrofës sizmike në Turqi, çështje kryesore aty është cilësia e ndërtimeve.
Nuk është rastësi që pas zbulimeve për punën e dobët – Bloomberg citoi ankesat se “kompanitë e ndërtimit dihet se heqin kolonat mbështetëse nga disa dyqane dhe parkingje dhe bëjnë ndryshime në muret mbajtëse të ndërtesës, dyert dhe dritaret” – autoritetet turke janë angazhuar në një pogrom kundër kontraktorëve.
Një përjashtim nga “rregulli” i trishtuar që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 33 mijë njerëzve, shumica e tyre në provincën e Hatay, është qyteti i Erzinit që nuk ka asnjë person të vdekur në afërsi të tij nga shembja totale e ndërtesave.
“Erzin është një qytet me 42,000 banorë në një distancë prej 15 km nga qyteti Osmaniye, 110 km nga qyteti Hatay dhe shumë afër Adanas. Megjithatë, nuk kemi humbur asnjë person dhe nuk kemi lëndime. Të vetmit viktima janë banorë të qytetit tonë që ndodheshin në zonat fqinje”, tha për Euronews kryetari i bashkisë së Erzinit, Okes Elmasoglu.
Këtë realitet ai ia atribuoi faktit se gjatë mandatit të tij si kryetar komune nuk ka lejuar asnjë ndërtim pa leje.
“Më thanë ‘do të bëjmë një godinë, do të na jepni leje? dhe unë iu përgjigja: ‘Unë nuk kam një autoritet të tillë, nuk mund ta bëj një gjë të tillë’”, tha kryebashkiaku i Erzinit.
Siç shtoi ai, duke folur për Euronews, “edhe nëse e luftoni këtë fenomen, qytetarët do të vazhdojnë të tentojnë të ndërtojnë ndërtime pa leje. Nëse nuk keni staf të mjaftueshëm, nuk keni një shans 100% për ta kontrolluar këtë. Por ne kishim vullnet dhe thamë që nuk do ta bëjmë një gjë të tillë në periudhën tonë”.
Sipas deklaratave të tij, bashkia Erzin kishte vendosur dhe gjobat përkatëse, duke dërguar çështjet para drejtësisë. “Në këtë kuptim ndërgjegjja ime është e pastër”, përfundoi kryebashkiaku turk.