Një grup me pesë ekspertë të emergjencave të Bashkisë së Tiranës iu bashkua grupeve të ndihmës në Turqi.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj bën të ditur se këtë fundjavë, Bashkia e Tiranës do të vendosë një çadër për këdo që dëshiron të dhurojë dhe ndihmojë popullin turk. Më herët, ai zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën e e Turqisë për të shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit të rëndë. Veliaj la edhe një mesazh në Librin e Ngushëllimeve të ambasadës.

“Shpreha ngushëllimet e mia në Ambasadën e Turqisë për viktimat e tërmetit të rëndë, që goditi vendin mëngjesin e 6 shkurtit. Lutem për rimëkëmbje sa më të shpejtë për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi. Sot një grup me pesë ekspertë të emergjencave nga Bashkia e Tiranës, iu bashkua grupeve të ndihmës në Turqi. Këtë fundjavë, Bashkia e Tiranës do të vendosë një çadër për këdo që dëshiron të dhurojë dhe ndihmojë popullin turk. Jemi me ju”, shkruan Veliaj në rrjete sociale.