Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës ditën e sotme, u bë me dije një lajm i mirë për familjet të cilat kanë jetuar më herët në godinat e konvikteve të zëna pas viteve ’90 dhe më pas mbetën të pastreha pas tërmetit të vitit 2019.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se këto familje të cilat nuk jetojnë më në konviktet në Universitetin Bujqësor ose Qytetin Studenti, do të marrin bonus qiraje.

““Ne tani vërtetë i kemi mbaruar 8 godina tek Universiteti Bujqësor i Kamzës, por në qoftë se ne i rikthehemi në 2023-in pushtimit të godinave me familjarë, në vend të studentëve, do të thotë që kemi hedhur një verë të vjetër në një fuçi të re. Pra kemi sjellë një mentalitet të vjetër në godina të reja. Nuk mund të vazhdojë më kjo. Kështu që ftesa për të gjithë këta banorë është që ne t’i ndihmojmë me subvencionimin e qirasë, por do ta bëjmë me qiranë e tregut, pra edhe subvencionimin do ta bëjmë siç bëmë për këto 43 familje, por aplikimi do bëhet tek secila njësi, pra te 2, 8 dhe 11-ta. Se nuk falim dot shtëpi dikujt që s’e kishte atë shtëpi. Kërkoj mirëkuptim të këtyre banorëve, nuk po i lëmë pa zgjidhje, por zgjidhja është sistemi i bashkisë për njerëzit që kanë nevojë që ne t’ju paguajmë qiranë, por jo duke i zënë dhomën një studenti. Pra nuk zgjidhim një hall, duke shkaktuar një hall, ose një problem tjetër”, tha Veliaj.

Falë këtij vendimi përfitojnë edhe studentët, pasi rritet kapaciteti i strehimit të tyre në këto kampuse universitare.