Shoferi i një automjeti është gjobitur me 40 000 lekë të rinj, pasi ka lëvizur me shpejtësi shumë të madhe, në trotuar, në një qendër të banuar në Pogradec.
“Menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti që leviz me shpejtësi tej normave të lejuara, në trotuar, në zonë të banuar, në Pogradec, konkretisht në rrugën “10 Dëshmorët e Pojskës”, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit që shfaqej në video, shtetasit D. S.
Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 3 dhe 8 të Kodit Rrugor, në bazë të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998, ndaj shtetasit D. S. u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se aktualisht automjeti nuk posedohet nga shtetasi D. S, por nga një shtetas tjetër”, tha Policia.
Siç shihet në gjobën e vendosur nga policia, shoferi ka deklaruar “jam dakord”, për shkekjen që ka kryer.