Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa fotografi nga vizita e djeshme e homologut të tij nga Bavaria, Markus Söder. Kreu i qeverisë shprehet se ky takim hapi perspektiva të reja bashkëpunimi ekonomik e social.

“MIRËMËNGJES 😊 dhe me fotoalbumin e vizitës së djeshme të kryeministrit të Bavarisë, e cila hapi perspektiva të reja bashkëpunimi ekonomik e social, ju uroj një ditë të mbarë🙏”, shkruan Rama.

Kujtojmë që kryeministri nderoi ditën e djeshme Markus Soder me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike për “Mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese; për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Bavarisë e Shqipërisë.”

Rama dhe Soder zhvilluan një takim bilateral në Sallën e Hartave në Kryeministri, gjatë të cilit, kryeministri e vlerësoi vizitën e tij si një moment të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë për thellimin e bashkëpunimit, përmes shfrytëzimit sa më të mirë të potencialeve që ekzistojnë mes vendeve, në fusha të ndryshme.

Homologët dakordësuan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë, kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë këtyre 3 dekadave, si në planin politik, ekonomik, arsimor – kulturor, etj. Rama i shprehu Söder mirënjohjen, në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vendosur që Bavaria dhe personalisht Kryeministri Söder si lider i CSU në Bavari, i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, si në Bundestag, ashtu edhe në të shkuarën për shumë vite në koalicionin qeverisës.